TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet30 Janar 2025, 09:34

Përmbytjet në Durrës, Ministria e Mbrojtjes: Dhjetëra banesa nën ujë, evakuohen disa familje

Shkruar nga Pamfleti

Përmbytjet në Durrës, Ministria e Mbrojtjes: Dhjetëra banesa

Rrebeshet e shiu kanë shkaktuar përmbytje në Durrës, duke krijuar problematika të shumta në disa zona të qytetit.

Shumë banesa dhe ambiente publike janë nën ujë, ndërsa mësohet se 10 familje janë evakuuar nga banesat të cilat u pushtuan nga uji që vërshoi pas reshjeve të dendura të shiut mbrëmjen e djeshme.

Familjet e evakuuara janë vendosur te Kavalishenca. Ministria e Mbrojtjes në raportin e përditësuar për situatën në Durrës, njofton se rreth 40 hektarë tokë bujqësore ndodhet nën ujë.

Ndërkohë, banorët janë angazhuar vetë në nxjerrjen e ujit nga banesat. Dje u bë i mundur shpëtimi i 4 fëmijëve që për shkak të ujit ishin bllokuar në furgonin e shkollës.

Problematika më të theksuara kanë rrugët dytësore në zonën e Durrësit të Ri, Shkozetit, Gjykata e Apelit, pjesërisht Zona e Plazhit. Ka një rritje të lehtë të niveleve të lumenjve Ishëm dhe Erzen, por pa rrezik për daljen nga shtrati.

Hidrovorët në Hamallaj dhe Porto Romano vijojnë punën me kapacitet të plotë. Në terren janë të angazhuara forca nga MZSH, Autoriteti Portual, Bordi i Kullimit, ndërmarrjet e punëve publike të bashkisë.

Në mbështetje të forcave në terren janë angazhuar 2 pompa thithëse me kapacitet të lartë dhe 3 kamionë të kalueshmërisë së lartë nga Forcat e Armatosura.

Lini një Përgjigje