TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet29 Prill 2026, 19:42

Zbulohet prani gazi në Akërni, zona në monitorim nga specialistët e AKBN

Shkruar nga Pamfleti
Zbulohet prani gazi në Akërni, zona në monitorim nga
Zona e rrethuar

Një zbulim i papritur është regjistruar në zonën e Akërnisë, pranë Vlorës, ku gjatë shpimeve për studimin e tokës është konstatuar prani gazi natyror. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të hidrovorit të zonës, vetëm pak kilometra larg aeroportit të ri, duke ngritur interes dhe shqetësim për sigurinë dhe natyrën e këtij fenomeni.

Sipas burimeve nga terreni, një kompani private që po kryente punime gjeologjike ka hasur në praninë e gazit gjatë ditëve të fundit. Pas konstatimit, zona është rrethuar me shirita sigurie, ndërsa janë marrë masa paraprake për të shmangur çdo rrezik të mundshëm.

Të njëjtat burime bëjnë me dije se shpimet kanë arritur deri në një thellësi prej rreth 70 metrash dhe se prania e gazit është evidentuar prej afro 10 ditësh. Megjithatë, deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga institucionet përgjegjëse, as për llojin e gazit të zbuluar dhe as për hapat që do të ndërmerren në vijim.

Pasditen e së mërkurës, në zonë kanë mbërritur specialistë të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN), të cilët po kryejnë verifikime për të përcaktuar burimin dhe natyrën e fenomenit. Sipas informacioneve paraprake, vetë AKBN nuk ka dhënë leje për shpime në këtë zonë.

Burime të tjera sugjerojnë se, për shkak të karakteristikave kënetore të territorit, në të kaluarën mund të ketë pasur çlirime gazi si pasojë e ndërhyrjeve nëntokësore gjatë studimeve gjeologjike. Megjithatë, kjo mbetet për t’u konfirmuar nga ekspertët.

Situata vijon të jetë nën monitorim, ndërsa pritet që autoritetet të dalin me një qëndrim zyrtar pas përfundimit të verifikimeve, për të sqaruar rrezikun potencial dhe masat që do të merren për sigurinë e banorëve dhe zonës përreth.

gaz akerni

Lini një Përgjigje