Shemsi Prençi, ish-drejtues i lartë i Policisë së Shtetit, ka komentuar atentatin e Lezhës ku u vra çifti Mujeci.
Duke folur në “News 24”, ai e ka cilësuar si një vrasje që i kalon edhe të drejtat zakonore. Ngjarja dyshohet se është bërë për gjakmarrje, por sipas Prençit nuk ka asnjë lidhje me Kanunin.
Gjithashtu ai theksoi se Kreshnik Mujeci së bashku me bashkëshorten e tij dhe fëmijët kishte marrë pjesë në protestën e Rrjollit.
“Së fundmi viktimën e kam parë në protestën e fshatarëve të Baks Rrjollit, ku i ndjeri Kreshnik Mujeci ishte bashkë me bashkëshorten, kishte edhe fëmijët me vete. E kam njohur si person por jo të kem marrëdhënie me të. Ka një problem në Shqipëri, që nuk është folur në raport me kontradiksionet që ka ligjvënësi në Shqipëri me Kanunin. Kanuni është një përmbledhje e normave zakonore. Unë nuk e them dot që e vrau gjakmarrja. Nuk kemi një vendim të Apelit në disfavor të Kreshnikut. Organet e hetimit i kanë mbyllur hetimet dhe i kanë paraqitur për hetimin gjyqësor, pra unë kam të drejtën të bëj pyetjen publike, nëse organet e specializuar ligjzbatuese në Shqipëri nuk kanë arritur në konkluzionin se Kreshniku ishte personi që ka vrarë në 2016. Si ka mundësi që djali i Gencit dhe djemtë e vëllezërve të Gencit e përcaktuan Kreshnikun si vrasës dhe i dalin në një atentat?”, u shpreh ai.
Lini një Përgjigje