Rreth orës 10:00 të ditës së mërkurë, Ivanka Trump, vajza e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka mbërritur në qytetin e Vlorës, e shoqëruar nga forca të shumta policie dhe eskorta e saj.
Fillimisht, ajo ka kaluar në zonën e rrugës Transballkanike, për t’u drejtuar më pas përgjatë Lungomares dhe zonës së Ujit të Ftohtë, ku është akomoduar për disa minuta në një hotel të kësaj zone. Qëndrimi i saj ka zgjatur rreth gjashtë minuta, përpara se të vijonte axhendën e planifikuar.
Pas largimit nga hoteli, Ivanka Trump është drejtuar në zonën e Novoselës, konkretisht pranë Hidrovorit në Akerni. Vizita është zhvilluar nën masa të forta sigurie dhe në shoqërinë e arkitektëve të njohur, ndërsa në terren kanë qenë të pranishme edhe forca të shumta policie.
Burime bëjnë me dije se ndalesa në Akerni ka pasur si fokus vlerësimin nga afër të vijës bregdetare, hapësirave përreth dhe infrastrukturës ekzistuese, me synimin për të analizuar potencialin zhvillimor të territorit.
Akernia, e konsideruar si një nga zonat më të braktisura dhe të izoluara pas viteve ’90, njihet gjithashtu si një territor me potencial të lartë për investime strategjike dhe turizëm elitar, falë kushteve natyrore dhe pozicionit të favorshëm gjeografik. Vitet e fundit, çmimi i pronave në këtë zonë ka shënuar rritje të ndjeshme, edhe për shkak të afërsisë me aeroportin e ri.
Pas ndalesës në Akerni, Ivanka Trump ka vijuar itinerarin drejt zonës së Zvërnecit, ndërsa në axhendën e saj ka qenë edhe zona bregdetare e njohur si Porto Novo. Sipas raportimeve, ajo ndodhet ende në këtë zonë.
Prania e Ivanka Trump ka tërhequr vëmendje të konsiderueshme, ndërsa Akernia dhe zonat përreth mund të jenë në fokus të investimeve të ardhshme me profil të lartë. Ndërkohë, axhenda e saj për ditën e sotme apo për ditët në vijim nuk është bërë publike nga përfaqësuesit e saj.
Lini një Përgjigje