TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet24 Mars 2026, 18:57

Vijon protesta kundër Bashkim Ulajt, banorët akuza Policisë: Po mbroni një falsifikator

Shkruar nga Pamfleti
Vijon protesta kundër Bashkim Ulajt, banorët akuza Policisë: Po
Banorët e Rrjollit në protestë

Banorët e Rrjollit në Velipojë po vazhdojnë protestat e tyre prej gati dy muajsh kundër ndërtimit të resortit “Blue Borgo”, nga oligarku Bashkim Ulaj.

Një nga përfaqësueset e banorëve, Luçiana Kokaj, shprehet se Prokuroria e Shkodrës nuk ka ndërmarrë veprime konkrete lidhur me çështjen e tyre, duke e cilësuar situatën si neglizhencë institucionale.

Gjatë reagimit të saj, Kokaj ka ngritur akuza ndaj Bashkim Ulajt, duke pretenduar se përmes mbështetjes së policisë dhe elementëve kriminalë po tentohet marrja e pronave të banorëve.

Ajo paralajmëroi se, sipas saj, këto prona nuk do të gëzohen nga askush nëse merren në mënyrë të padrejtë.

“Banorët e Rrjollit janë çdo ditë në tokën e vet, duke mbrojtur tokën e të parëve, pavarësisht padrejtësisë së institucioneve. Nuk kemi për ta lëshuar asnjëherë. Ju mund të vazhdoni të kërkoni resort me policë, me shtet, me ndihmën e krimit dhe të mafies. Por tokën tonë nuk ka për ta gëzuar askush. Prokuroria e Shkodrës vijon të flejë gjumë mbi dosjet tona, ndërkohë që duhet t’i jepte gaz për t’i dhënë të drejtën popullit. Policia që paguhet nga taksat tona, duhet të jetë për të na mbrojtur ne dhe jo për të mbrojtur krimin. Policia sot është mobilizuar për të mbrojtur një falsifikator letrash. Kjo është një gjë e paprecedentë në asnjë shtet të Europës. Prona nuk është vetëm një problem i Rrjollit sot, por i çdo familjeje shqiptare”, tha mes të tjerash Kokaj.

Banorët e Baks-Rrjollit vijojnë të dalin çdo ditë në protestë, shpesh duke u përballur me praninë e forcave të policisë. Pavarësisht kësaj, sipas tyre, institucionet nuk kanë dhënë ende një zgjidhje, ndërsa çështja mbetet pezull.

Lini një Përgjigje