Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar pretendimet e prokurorit të posaçëm Altin Dumani dhe ka vendosur të pranojë ish-deputetin socialist Plarent Ndreca si mbrojtës ligjor të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Gjatë seancës, Dumani argumentoi se Ndreca ishte pyetur në fazën e hetimit paraprak si person që ka dijeni për çështjen, duke ngritur dyshime për konflikt interesi dhe rrezik për pavlefshmëri të procesit.
Nga ana tjetër, Ndreca kundërshtoi këtë qëndrim, duke deklaruar se dëshmitë e tij nuk lidhen me thelbin e çështjes dhe nuk cenojnë interesin e gjykimit.
Në përfundim, trupa gjykuese vendosi të mos e konsiderojë këtë si shkak papajtueshmërie dhe legjitimoi Ndrecën si avokat në këtë proces.
Altin Dumani: Ndalem te Erion Veliaj. Provohet se i pandehuri ka marrë dijeni rregullisht dhe ka shprehur vullnetin për të mos marrë pjesë, duke kërkuar të përfaqësohet nga avokati Ndreca dhe që në këtë fazë të procedohet pa pjesëmarrjen e tij. Lidhur me avokatin, ai është pyetur gjatë fazës së hetimit paraprak në këtë procedim dhe jemi në shkelje të ligjit për sa i përket papajtueshmërisë, për aq kohë sa është pyetur si person që ka dijeni.
Altin Dumani: Meriman Palushi mbetet pa mbrojtës, pasi avokatja ka hequr dorë. Tashmë jemi në kushtet kur ai mbetet pa mbrojtje. Të caktohet një avokat kryesisht për të pandehurin Palushi. Për Ina Goxhaj, është marrë dijeni rregullisht.
Plarent Ndreca: Kam një kërkesë si detyrim ligjor. Në vlerësim të ligjit, nuk jemi në kushtet e papajtueshmërisë. Nuk përbëjnë provë të dhënat e hetimit paraprak. Unë jam pyetur për njohjet me Veliajn dhe Xoxën, si dhe për kompani, nëse kam njohje, por nuk rezulton. Jam pyetur për një foto që është gjetur në zyrat e Xoxës, por unë nuk kam pasur lidhje. Thëniet që unë kam bërë nuk kanë lidhje me këtë proces dhe nuk cenojnë interesin e gjykimit. Nuk jemi në kushte papajtueshmërie.
Altin Dumani: Është vlerësimi juaj nëse e legjitimoni. Për ne nuk ka ndonjë pengesë, por duhet parë ligji, që të shmanget mundësia e një pavlefshmërie apo dështimi të arsyeshëm. Kaq kishim këtë merak.
Ndreca: Kështu e komentova si një merak. Por e sqarova dhe thëniet e mia nuk kanë asnjë interes të ndërsjellë.
Lini një Përgjigje