
“Vëllezërit Hysa” asfalt elektoral në Belsh për llogari të PS...
Teksa na ndajnë pak orë nga zgjedhjet e përgjithshme, Prokuroria e Elbasanit ka ndalur 2 zyrtarë në Belsh dhe ka shpallur në kërkim dy persona të tjerë, të cilët kanë hedhur asfalt elektoral.
Bashkia ka përdorur kompaninë “Vëllezërit Hysa” për të mashtruar qytetarët duke bërë shtrime rrugësh sa për sy e faqe. Por skandali u denoncua nga kandidati i PD Dritan Cani.
Sipas Prokurorisë, punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Belsh kanë lejuar shtrimin e rrugëve pa projekt, në bashkëpunim duke kryer veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Ndërtimit të paligjshëm” dhe “Përdorimit të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”.
Burime bëjnë me dije se dy prej katër personave për të cilët ka një urdhër-ndalimi janë administratorët e kompanisë “Vëllezërit Hysa”, shtetasit Besnik Hysa dhe Dhiogjen Kristo, të cilët janë shpallur në kërkim.
Njoftimi i Prokurorisë:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ka regjistruar kryesisht procedimin penal nr. 446 të vitit 2025 për veprën penale të “Shpërdorim detyre”, “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Moskallëzim i krimit” të parashikuar nga nenet 248, 328/a/4, 199/a/3 dhe 300 i K.Penal,
Në datë 05.05.2025, ora 08:30, nga këqyrja në rrjetin social “Facebook”, është shfaqur postim “Asfalt elektoral në Belsh”, në video dallohet një kamion me mbishkrimin “V. H.” dhe mbrapa saj një mjet që shtron asfalt. Në këmbë gjendet kandidati i një koalicioni zgjedhor shtetasi D.C. Ky shtetas në video mes të tjerash relaton se: “I bëj thirrje Kryetarit të Bashkisë Belsh, që pse shtrohet ky asfalt tani, një javë para zgjedhjeve”.
Në kuadër të këtij procedimi janë kryer disa veprime hetimore si kqyrja e vendit të ngjarjes, kqyrja dhe sekuestrimi i dokumentacionit mbi punimet në rrugë (praktika e mbajtur nga ana e Bashkisë Belsh dhe nga subjekti “V.H” shpk), administrim i deklarimeve të personave që kanë dijeni rreth veprës penale.
Në tërësi të veprimeve hetimore të kryera deri në këto momente, rezulton se ka dyshime të arsyeshme që punonjës të IMT Bashkia Belsh kanë kryer veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, pasi me mosveprimet e tyre kanë lejuar që subjekti “V.H” shpk të shtrojnë pa projekt rrugë të brendshme në qytetin e Belshit, të dyshuara të kryera në funksion të fushatës elektorale për zgjedhjet e datës 11.05.2025.
Nga ana e subjektit “V.H.” shpk është kryer vepra penale e “Ndërtimit të paligjshëm” parashikuar nga neni 199/a/3 i Kodit Penal. Sa me sipër në datë 10.05.2025 nga Prokurori i çështjes është urdhëruar ndalimi i të dyshuarve për një krim shtetasve F.M., L.H., Dh.K. dhe B.H.
Nga policia gjyqësore është ekzekutuar ndalimi për dy shtetas, janë ushtruar kontrolle vendesh si dhe është bërë shpallja në kërkim e dy shtetasve Dh.K. dhe B.H.
Lini një Përgjigje