Ju ftojme te ndiqni Edicionin Informativ me zhvillimet kryesore deri ne kete ore te dites, ku nder te tjera vecojme:
Shqipëria ka mbyllur tre kapitujt e parë të negociatave me Bashkimin Evropian, në një ditë të cilësuar nga komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, si “Super e Marta” për procesin evropian. Kapitujt lidhen me shkencën, arsimin, kulturën dhe marrëdhëniet me jashtë.
Nga Brukseli, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për lidhje me krimin e organizuar dhe kërkoi krijimin e një grupi të posaçëm ndërkombëtar për luftën ndaj karteleve të drogës dhe ndikimit të tyre në politikë.
Ndërkohë, bojkoti i Kuvendit ka nxjerrë përplasje brenda Partisë Demokratike. Jorida Tabaku dhe deputetë të tjerë kundërshtuan vendimin, duke deklaruar se parlamenti është e vetmja platformë publike e opozitës. Edhe Ervin Salianji akuzoi Sali Berishën se po bën pazare me Edi Ramën për reformën zgjedhore dhe territoriale.
Debate të forta pati edhe në Komisionin e Ligjeve për projektligjin që lejon përdorimin e deri në 40% të tokës bujqësore për agrofotovoltaikë. Damian Gjiknuri u përplas me Ulsi Manjën dhe braktisi mbledhjen, ndërsa opozita ngriti shqetësime për ndikimin e baterive dhe turbinave mbi tokën.
Në drejtësi, SPAK ka lejuar pas rreth 500 ditësh takimin e avokatëve ndërkombëtarë me Erion Veliajn, ndërsa ka marrë të pandehur ish-kryebashkiakun e Divjakës, Fredi Kokoneshi, për shpërdorim detyre lidhur me dhënien me qira të tokave për impiante diellore.
Akademia e Sigurisë ka ndërprerë kontratën me kompaninë “SORI-AL” pas helmimeve masive të kursantëve dhe ka rikthyer gatimin në mensën e institucionit.
Në zhvillimet sociale, INSTAT raporton se mosha mediane e grave në Shqipëri ka kaluar 45 vjeç, duke reflektuar plakjen e shpejtë të popullsisë. Ndërkohë, baret dhe restorantet raportojnë rënie deri në 35% të konsumit gjatë sezonit turistik.
Në Kosovë, mbrojtja e Hashim Thaçit ka kërkuar lirimin me kusht, duke ofruar garanci 50 mijë euro dhe një sërë kufizimesh.
Në arenën ndërkombëtare, SHBA po përshkallëzon përplasjen me Gjykatën Penale Ndërkombëtare, ndërsa Franca shënoi 14 korrikun me mesazhe për forcimin strategjik të Evropës.
Vala e të nxehtit ka sjellë alarm në Itali, me temperatura deri në 45 gradë, ndërsa tensionet SHBA-Iran në Ngushticën e Hormuzit kanë tronditur tregjet e naftës.
Në sport, Franca dhe Spanja përballen sonte në një duel gjigant për një vend në finalen e Botërorit 2026.
Lini një Përgjigje