
Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:
Nga ish-anëtarët e Vetting në ata të KLP/ Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, 7 kandidatë në garë
Të paktën 7 kandidatë kanë paraqitur dokumentacionin brenda afatit ligjor në Kuvend për garën e çelur për postin e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Ajo që tërheq vëmendjen nga lista e kandidatëve janë emrat që kanë mbajtur pozicione në komisionet e Vetting apo në KLP.
Referuar raportimeve interes për këtë pozicion kanë shprehur Alfred Balla, ish-kryetar i KLP-së, mandati i të cilit u ndërpre pasi nuk kaloi Vetting, por edhe Genta Tafaj Bundo, ish-komisioneve e Vetting. Gjithashtu si kandidate është edhe Roeta Ivanova, ish-punonjëse në trupën e Vetting. Por garës i janë bashkuar edhe dy ish-drejtueset e Agjencisë Kombëtare për Diasporën, Sonila Hysi dhe Ermonela Xhafaj.
Dy emrat e tjerë që kanë paraqitur dokumentacionin nga Brunilda Menella dhe Brikena Luti, që plotësojnë kështu edhe 7 kandidaturat që garojnë për një pozicion. Pritet që Kuvendi të organizojë përmes komisioneve të linjës, seanca dëgjimore me kandidatët, dhe më pas do të ketë një renditje të tyre, bazuar në vlerësimet që do të bëhen, dhe seancës do i përcillen emrat e kualifikuar.
Pothuajse të gjithë emrat që kanë qenë pjesë e Komisioneve të Vetting, KLP apo KLGJ, me të mbaruar mandatet e tyre, kanë synuar pozicione në postet e larta të administratës apo në shkallët më të larta të gjyqësorit shqiptar. Disa iu ka buzëqeshur fati, duke marrë pozicionet e synuara, përfshi edhe mandate deputetësh, ndërsa të tjerë vijojnë të garojnë sa herë shpallet vakanca për një pozicion.
Me masë sigurie “arrest shtëpie”/ Mirlinda Karçanaj paraqitet në SPAK
Mirlinda Karçanaj, ish-drejtoresha e AKSHI-t, ndaj të cilës me vendim të GJKKO-së është vendosur masa e sigurisë “arrest shtëpie” është paraqitur ditën e sotme në SPAK.
Nga raportimet mësohet se paraqitja në SPAK ka të bëjë me hetimet që prokurorët po vijojnë lidhur me dosjen ku është përfshirë edhe Karçanaj.
SPAK në njoftimin zyrtar ka bërë të ditur se ndaj Mirlinda Karçanaj, e cila ndodhet nën masën e sigurisë “arrest shtepie”, janë ngritur akuzat për “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
Zgjidhet kreu i OSHEE/ Mentor Hima zëvendëson Enea Karakaçin
Mentor Hima është administrator i ri i OSHEE. Më herë ai ka mbajtur postin e drejtorit të Departamentit të Shitjes dhe Arkëtimit në OSHEE.
Ai zëvendëson kështu Enea Karakaçin, i cili u emërua ministër i Energjetikës dhe Infrastrukturës.
Ky i fundit është një prej të përkëdhelurve të kullës së pushtetit, që në çdo detyrë ka “ngrënë me disa lugë” njëkohësisht. Pra, përveç pagës kryesore si drejtor, ka marrë edhe disa pagesa paralele në borde e komisione. Pak ditë më parë Pamfleti dencoi faktin se ai ka ushtruar paralelisht role mbikëqyrëse dhe vendimmarrëse në institucione që lidhen drejtpërdrejt me sektorët që kontrollon Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Situata ngre pikëpyetje të forta për konflikt interesi, përfitime të shumëfishta financiare dhe për mënyrën si janë ndërtuar lidhjet e pushtetit brenda enteve publike.
“Rrezikojmë një rënie të dytë të “piramidave”/ Kreu i Konfindustria: Mund të shkojmë në krizën e ’97-ës!
Kreu i “Konfindustria”, Gjergj Buxhuku, i ftuar në emisionin “Studio24”, ka paralajmëruar për një situatë tepër të rrezikshme ekonomike në Shqipëri, në kushtet e krizës energjetike dhe rritjes së çmimeve pas tensioneve në Iran dhe bllokimit të Ngushticës së Hormuzit.
Sipas Buxhukut, Shqipëria ndodhet në një pozitë më të brishtë se vendet e tjera të NATO dhe nuk duhet të mbështetet te aleatët për stabilitet ekonomik.
Duke përdorur një metaforë, ai paralajmëroi për efektin domino të krizës. Sipas tij, ekonomia shqiptare është veçanërisht e rrezikuar dhe mund të përballet me pasoja të rënda.
Buxhuku ngriti shqetësimin edhe për industrinë vendase, duke paralajmëruar për rrezikun e mbylljes së saj për shkak të kostove të larta dhe konkurrencës nga importet. Ai shtoi se kjo situatë ndikon drejtpërdrejt edhe te fermerët dhe investitorët, të cilët sipas tij tërhiqen menjëherë kur shohin tregues negativë. “Kur shohin këta tregues që rrënohen, investitorët largohen menjëherë,” u shpreh Buxhuku.
Në analizën e tij, ai shkoi më tej duke e krahasuar situatën aktuale ekonomike me periudhën e krizës së firmave piramidale në Shqipëri 1996-1997, duke paralajmëruar për rreziqe të ngjashme.
Sipas Buxhukut, ekonomia shqiptare po mbahet në këmbë nga flukse informale financiare. Ai përmendi edhe rolin e SPAK, duke theksuar se krijimi i tij lidhet me nevojën për të kontrolluar paratë e krimit që qarkullojnë në vend
Jo për postin e kryetarit/ Salianji, telash i madh për Berishën
Sali Berisha e ka goditur egërsisht Ervin Salianjin, duke e cilësuar të birësuar nga Fatmir Xhafaj. Me fjalë të tjera, e ka shpallur tradhtar.
Ky është një akt ekstrem, i cili do të kushtojë edhe më shumë në ndarjen e opozitës dhe në kaosin e bazës së militantëve në të gjithë vendin.
Sipas të gjitha gjasave, Salianji nuk do të regjistrohet fare në garën për kryetar të Partisë Demokratike, duke u mbajtur jashtë procesit.
Po pse e bën këtë Sali Berisha? A ka frikë se Ervin Salianji mund ta sfidojë atë në zgjedhjet e muajit maj? Sipas të gjitha gjasave, kjo nuk është frika e kreut të PD-së.
Ai kontrollon thuajse gjithçka në organizimin e zgjedhjeve, të cilat kalojnë nga duart e tij. Përveç kësaj, pavarësisht shkathtësisë dhe simpatisë që një pjesë e anëtarëve të PD-së mund të kenë për Ervin Salianjin, ai nuk ka asnjë fuqi reale për ta dëmtuar Berishën.
Duke u nisur nga ky fakt, Berishës madje do t’i leverdiste një garë me Ervin Salianjin, sepse gara do të merrte dinamikë dhe do të rriste pjesëmarrjen, si edhe entuziazmin e bazës në një proces që më shumë mund ta forconte Sali Berishën sesa ta dëmtonte.
Por Sali Berisha i frikësohet një procesi tjetër, të cilin e konsideron shumë më të rëndësishëm: zgjedhjes së kryesisë, sekretarit të përgjithshëm dhe kreut të Këshillit Kombëtar.
Për më shumë klikoni në linkun e orës 12.00
Lini një Përgjigje