TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 9 Mars 2026, 11:52

UPDATE/ Edicioni informativ, ora 12:00

Shkruar nga Pamfleti

UPDATE/ Edicioni informativ, ora 12:00

Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:

Apeli i GjKKO rrëzon Belinda Ballukun/ Lë në fuqi masën e pezullimit nga detyra

Këtë të hënë me 9 mars në Gjykatën e Posaçme të Apelit po mbahet seanca e masës së sigurimit “pezullim nga ushtrimi i detyrës” për ish-zv kryeministren Belinda Balluku, pas arsyetimit të vendimit nga Gjykata Kushtetuese.
Apeli i GjKKO ka rrëzuar Belinda Ballukun, duke lënë në fuqi masën e pezullimit nga detyra.
Vendimi është marrë nga gjyqtarja Miliana Muça e cila shqyrtoi ankimin e bërë nga avokatët e Ballukut të masës së sigurimit.

Balluku nuk është më ministre e Infrastrukturës dhë Energjitikës dhe zëvendëskryeministre dhe Apeli i Posaçëm duhet të marrë një vendim, qoftë edhë për të konstatuar që nuk ka objekt për këtë çështje.
Gjykata Kushtetuese u shpreh në 6 shkurt, për kërkesën e paraqitur nga qeveria lidhur me vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila në muajin nëntor 2025 vendosi pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, në cilësinë e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Gjykata Kushtetuese vendosi që të rrëzojë padinë e qeverisë, pasi gjyqtarët votuan 4 pro dhe 4 kundër, duke mos arritur kuorumin e nevojshëm. Kështu, u rikthye masa e pezullimit nga detyra për Belinda Ballukun, e cila ishte hequr më 12 dhjetor 2025, po me verdikt të kësaj gjykate.

Nuk përmbushen kushtet/ PS rrëzon kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut

Partia Socialiste rrëzon kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, ish-zv.Kryeministre dhe ish-ministre e Infrastrukturës. Sipas raportit të hartuar nga 5 anëtarët socialistë të Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, në rastin e Belinda Ballukut, nuk përmbushtet kushtet që ajo të arrestohet, bazuar në kërkesën e SPAK.
Në raportin që Ulsi Manja lexoi para grupit parlamentar socialist dhe që përbën edhe qëndrimin e PS-së në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve, thuhet se pavarësisht pretendimeve të SPAK për shtimin e akuzave, vepra penale mbetet sërish e njëjta, shkelja e barazisë në tendera.

Në raport tha se nuk ka asnjë akuzë të drejtësisë ndaj Belinda Ballukut se ka ndikuar, apo nuk jepet asnjë provë direkte apo indirekte që ajo të ketë prishur provat.

Sot seanca e parë në themel për dosjen Veliaj/ Kryebashkiaku refuzon të paraqitet; prokurori i SPAK në sallë

Ditën e sotme në Gjykatën e Posaçme po zhvillohet seanca e parë në themel për dosjen kundër kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Në seancë është paraqitur prokurori i SPAK Ols Dado, ndërsa kryebashkiaku Veliaj nuk është prezent.
Mbrojtja e Veliajt ka lexuar një deklaratë të kryetarit të Tiranës nga paraburgimi i Durrësit ku shprehet: “Nuk dua të paraqitem në seancë”.

Trupa gjyqësore që po shqyrton çështjen në themel përbehet nga Engjëllushe Tahiri, Alma Kodraliu dhe Rudina Palloj.

Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt, pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë dhe ryshfete nga biznesmenë kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.

SPAK ka renditur ndaj Veliajt 13 akuza, si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.

Gara për drejtues të Policisë së Shtetit/ Zbardhen emrat e kandidatëve

Ndërsa afati për dorëzimin e kandidaturave për drejtimin e Policisë së Shtetit po shkon drejt mbylljes, kanë nisur të dalin në dritë disa nga emrat e oficerëve që kanë vendosur të garojnë për postin e drejtorit të përgjithshëm.
Sipas informacioneve mes kandidatëve është oficeri i karrierës Pëllumb Seferi, me 28 vite eksperiencë në polici, i cili aktualisht mban postin e drejtorit të Shoqatës së Studentëve Europianë që diplomohen nga FBI në SHBA.
Për postin e kryepolicit kandidon edhe drejtori aktual i Policisë së Vlorës, Elidon Çela, me 25 vite karrierë, i cili konsiderohet një nga kandidatët potencialë.

Një tjetër emër në këtë garë është edhe drejtori i Policisë së Durrësit, Afrim Tafa. Po ashtu kanë paraqitur kandidaturën edhe oficerët Lutfi Minxhozi dhe Idajet Faskaj.

Në dy ditët e mbetura deri në përfundimin e afatit pritet që listës së kandidatëve t’i shtohen edhe emra të tjerë, përfshirë disa që janë përfolur që në momentin e hapjes së garës, si Tonin Vocaj dhe drejtori aktual i Policisë së Fierit, Skënder Hitaj. 

 

edicioni i lajmeve pamfleti

Lini një Përgjigje