
Në edicionin e mesditës do të keni mundësinë të ndiqni:
Kosova kalon sprovën e zgjedhjeve
LVV-ja siguron shumicën qeverisëse
Në Kosovë u zhvilluan zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare këtë të dielë, të dytat brenda këtij viti, pasi për më shumë se dhjetë muaj partitë politike nuk arritën të krijojnë institucionet e reja
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) arriti një fitore të madhe në zgjedhjet e sotme parlamentare, duke siguruar një shumicë të qëndrueshme që i mundëson formimin e qeverisë së re “Kurti 3” pa nevojën e koalicioneve të gjera. Ky rezultat shënon fundin e ngërçit politik të shkaktuar pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, ku partitë nuk arritën të siguronin shumicën qeverisëse dhe nuk ranë dakord as për koalicion qeverisës.
Një lajm me rëndësi vjen nga qyteti bregdetar i Vlorës, qytetarët e të cilit vuajnë mungesën e ujit prej 4 ditësh.
Qytetarët e Vlorës kanë nisur protestat sot në dyert e Bashkisë pasi prej 4 ditësh qyteti nuk furnizohet me ujë.
Mësohet se qytetarët kanë nisur dhe përplasjet e para në ambientet e jashtëm të bashkisë.
Banorët e revoltuar kërkojnë të hyjnë në bashki me bidona në duar, duke goditur dyert e institucionit. Protestuesit kanë shprehur revoltën e tyre ndaj mungesës së ujit, duke kërkuar një takim me kryetaren e Bashkisë, Brunilda Mersini.
Qytetarët kanë deklaruar se mungesa e ujit po u vështirëson jetën e përditshme. Në sheshin përpara bashkisë shihet një numër i konsiderueshëm qytetarësh, të cilët po përplasen me policinë duke tentuar të futen në ambientet e brendshme të bashkisë.
Protestat kanë nisur që prej mbrëmjes së djeshme në dyert e teatrit “Petro Marku” ku bashkia kishte organizuar mbrëmje gala me rastin e festave të fundvitit. Qytetarët arritën të futeshin brenda duke ndaluar zhvillimin e koncertit të planifikuar e më pas tentuan bllokimin e bulevardit “Ismail Qemali”.
Le të hedhim pak sytë nga SPAK: Klodian Braho 'përvesh mëngët', vë në lëvizje' dosjen “Krifca”
Gjatë raportimit në Parlament më 27 tetor 2025, pyetjes për zvarritjen e hetimit të Frida Krifcës lidhur me fondet bujqësore “IPARD II” të dërguara nga BE, ish-drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, iu përgjigj: “Hetimet janë në fazë paraprake dhe përbëjnë sekret”.
Më 25 dhjetor, SPAK, duke iu përgjigjur interesit të mediave dhe publikut për fatin e dosjes së fondeve të BE-së, ripublikoi raportin e transparencës për muajin nëntor, duke përsëritur refrenin dyvjeçar të Altin Dumanit se hetimet janë në fazë paraprake dhe përbëjnë sekret hetimor.
Ky sqarim i përket muajit nëntor, kohë kur vazhdonte mashtrimi se hetimet ishin në fazë paraprake, ndërkohë që sipas Kodit të Procedurës Penale, për dosjet me prova të gatshme nga partnerët, kjo fazë zgjat tre muaj, ndërsa Altin Dumani e mbajti tre vite të bllokuar dosjen “Krifca”.
Por sipas informacionit të ardhur në “Pamfleti”, drejtuesi i SPAK, Klodian Braho, dy ditë pas nisjes së detyrës, i ka “hequr pluhurin” dosjes “Krifca”, si dosje e partnerëve OLAF dhe EUROJUST, por edhe me ndikim të rëndë ekonomik, pasi për shkak të mosçuarjes përpara drejtësisë të hajdutëve të fondeve “IPARD II”, BE i ka bllokuar Shqipërisë fondet “IPARD III” për bujqësinë.
Ndërkohë, Ministri i Financave 'i hap rrugën' qokave
Petrit Malaj legalizon konfliktin e interesit
Edhe Ministri i Financave, Petrit Malaj, nën shembullin e kryeministrit, nuk po i përfill ligjet, duke nxjerrë urdhra me përmbajtje që shërbejnë për të bërë qoka me poste drejtuese për të preferuarit e kupolës së pushtetit dhe miqtë e tij.
Me Urdhrin nr. 153, datë 16 dhjetor 2025, ministri Petrit Malaj ka njoftuar nisjen e procesit për zgjedhjen e tre anëtarëve dhe kryetarit të Bordit të Mbikëqyrjes Publike, strukturë që varet drejtpërdrejt prej tij.
Një nga kriteret për t’u bërë anëtar i Bordit të Mbikëqyrjes Publike është ky: aplikuesit të mos kenë lidhje të afërta deri në shkallë të dytë me personat që janë pjesë e organeve të zgjedhura të organizatës së audituesve ligjorë.
Por ministri Petrit Malaj, në shkelje të ligjit, ka bërë sikur ka “harruar” të vendosë kriterin ligjor që aplikuesve për anëtarë dhe drejtues të Bordit të Mbikëqyrjes Publike u ndalohet të kenë biznese auditimi, pasi kjo përbën konflikt të drejtpërdrejtë interesi.
Nga Bota, do të mund të mësoni më shumë mbi takimin mes Trump dhe Zelensky, cili është 5% që mban peng paqen
Konferenca për shtyp në Mar-a-Lago nuk ishte një moment pajtimi, sigurisht jo një moment agresioni si ai i shkurtit të kaluar, por vetëm mikpritja nuk i jep fund luftërave të përmasave të asaj që ka qenë duke u zhvilluar për gati katër vjet në Ukrainë.
Donald Trump foli jo si një president që kërkon ekuilibër, por si një negociator që kontrollon kohën, sekuencën dhe gjuhën publike të "paqes". Zgjedhja e hapësirës, stilit dhe kohës nuk kishte për qëllim konvergjencën dhe "lidhjen e urave" të Moskës dhe Kievit. Ajo kishte për qëllim kryesisht ripërcaktimin dhe kontrollin e narrativës.
“Gatishmëria 95% ” e paraqitur nga Volodymyr Zelensky dhe Presidenti Amerikan funksionon si një kurth i dyfishtë. Nga jashtë, tregon progres. Nga brenda, i kthen ngërçet reale në “çështje të pazgjidhura”. Dhe këto çështje të pazgjidhura nuk janë teknike. Ato, në rastin konkret të Ukrainës, janë ekzistenciale.
Për këto dhe të tjera, ndiqni edicionin informativ të orës 12.00
Lini një Përgjigje