TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet16 Shkurt 2026, 14:55

UPDATE/ Edicioni i lajmeve kryesore nga kronika e zezë Ora 15:00

Shkruar nga Pamfleti
UPDATE/ Edicioni i lajmeve kryesore nga kronika e zezë Ora 15:00
UPDATE/ Edicioni i lajmeve kryesore nga kronika e zezë Ora 15:00

Ju ftojmë të ndiqni zhvillimet kryesore nga kronika e zezë deri në këtë orë të ditës, ku ndër të tjera veçojmë:

Në Shqipëri, Gjykata e Tiranës ka pezulluar nga detyra drejtorin e financave në AMP, pas hetimeve të Prokurorisë që lidhen me atentatin e Rinasit. Sipas organit të akuzës, Muçi Shaljani ishte punësuar me procedurë të paligjshme dhe në kohë rekord, çka ka ngritur dyshime serioze për shkelje ligjore brenda Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Ndërkohë, në dosjen “Metamorfoza”, SPAK ka kërkuar thirrjen e 40 dëshmitarëve për vrasjen e Gjin Boriçit dhe atentatin ndaj Kleanthi Musabelliut. Debati në sallë është përqendruar te komunikimet në aplikacionin Sky ECC dhe përputhshmërinë e orareve të tyre me kohën e ngjarjeve.

Në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar, tre persona janë ekstraduar nga Danimarka, Franca dhe Italia, të akuzuar për trafik droge, mashtrim dhe armëmbajtje pa leje. Autoritetet konfirmojnë se operacionet për kapjen e të kërkuarve vijojnë.

Ndërkohë, në lumin Vjosë vazhdojnë kërkimet për 65-vjeçarin Ylli Dine nga Tepelena, i zhdukur prej 13 ditësh, me dyshimin se është mbytur aksidentalisht.

Në Britani, një 22-vjeçar shqiptar u dënua nga Nottingham Crown Court me 22 muaj burg për kultivim kanabisi, ndërsa do të rekomandohet për dëbim. Po në Londër, 29-vjeçari Dorian Puka, i cilësuar nga mediat si “i padeportueshëm”, festoi 10-vjetorin e qëndrimit të tij, ndërsa pret vendimin për azil.

Në Greqi, në burgun e sigurisë së lartë në Domokos, një i dënuar mbeti i vrarë pas të shtënave brenda zyrës së drejtorit, ku ndodhej edhe Alket Rizai. Hetimet po fokusohen te mënyra se si arma hyri në ambientet e burgut.

Në arenën ndërkombëtare, ''Le Monde'' zbulon se rrjetet kriminale shqiptare po përdorin Afrikën Perëndimore si korridor të ri për trafikun e kokainës drejt Europës.

Në Hagë, mbrojtja e Jakup Krasniqi kundërshtoi akuzat, duke deklaruar se nuk ka prova që e lidhin me vendet e ndalimit të përmendura në aktakuzë.

Ndërsa në Mal të Zi, është arrestuar ish-ministrja e Arsimit, Vesna Bratić, me urdhër të Prokurorisë Speciale, nën dyshimet për shpërdorim detyre – një zhvillim që pritet të ndikojë në klimën politike në Podgoricë.



edicioni i lajmeve ora 15: 00

Lini një Përgjigje