Ky është Blloku i lajmeve nga kronika e zezë deri në këtë orë të ditës, ku ndër të tjera veçojmë:
Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e ish-ministrit Fatmir Mediu, lidhur me akt-ekspertimin e fax-it të njohur si “për Shkëlzenin”.
Avokatët kërkuan akses në disa akte të dosjes, ndërsa GJKKO vendosi shtyrjen e seancës për më 10 shkurt.
Ndërkohë, Apeli i GJKKO-së ka lënë në fuqi vendimin për konfiskimin e një apartamenti 60 metra katrorë, në pronësi të ish-gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, i cili dyshohet se e kishte fshehur pasurinë nga deklarimi zyrtar.
Pas lajmit të trishtë nga Gramshi, ku humbi jetën në një aksident tragjik 43-vjeçarja Dëshira Hoxha, “Urdhri i Infermierit” reagon me një mesazh nderimi, duke theksuar se ajo shërbeu për vite me profesionalizëm, humanizëm dhe dinjitet.
Në Durrës është zbardhur dëshmia e 56-vjeçarit që plagosi me thikë vajzën e tij dhe kolegun e saj.
Ai ka deklaruar se ishte nën efektin e alkoolit dhe se kishte shkuar vetëm për të biseduar, por situata i kishte dalë jashtë kontrollit.
Zhvillime të reja për Besim Sherifin, i cili qëndroi i fshehur për rreth 10 vjet në Tiranë, ndërsa kërkohej për tre vrasje në Maqedoninë e Veriut.
Ai ka mohuar akuzat, duke deklaruar se nuk është personi i kërkuar.
Në Korçë, prokuroria ka nisur hetimin ndaj dy punonjëseve të postës, të dyshuara se kanë zhvatur 22 milionë lekë të reja nga fondet e pensioneve, duke shpërdoruar detyrën.
Në Rinas është arrestuar një 31-vjeçar që dyshohet se do trafikonte një armë zjarri drejt Italisë.
Ai ka pretenduar se nuk e di se si pistoleta përfundoi në çantën e tij.
Në Lezhë, në pranga kanë rënë babë e bir, së bashku me një punonjës të OSHEE-së.
Policia zbuloi një “shtëpi bari”, duke sekuestruar armë, municione dhe kokainë.
Jashtë vendit, autoritetet italiane kanë arrestuar kreun historik të klanit Trisciuoglio-Tolonez, një grup italo-shqiptar i përfshirë në grabitje makinash dhe trafik droge me shpërndarje “delivery”.
Në Belgjikë, dy të rinj janë arrestuar për vrasjen e shqiptarit Marko Beka, 45 vjeç, ndërsa motivi i krimit mbetet ende mister.
Ndërkohë, SHBA po përballen me ngrica vdekjeprurëse. Deri tani raportohen 34 viktima, mbi gjysmë milioni persona pa energji elektrike, ndërsa në Mississippi po përjetohet stuhia më e rëndë që nga viti 1994.
Lini një Përgjigje