TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet25 Mars 2026, 14:31

U nda nga jeta në moshën 40-vjeçare, i jepet sot lamtumira e fundit gazetarit Namir Lapardhaja 

Shkruar nga Pamfleti

U nda nga jeta në moshën 40-vjeçare, i jepet sot lamtumira e

Gazetari Namir Lapardhja u përcoll sot për në banesën e fundit pas homazheve të zhvilluara në Pallatin e Kulturës “Margarita Tutulani” në Berat. Ai u nda nga jeta një javë më parë në Gjermani si pasojë e një ataku kardiak.

Në ceremoninë mortore morën pjesë drejtues politikë, përfaqësues vendorë, kolegë dhe qytetarë të shumtë. Të pranishmit e konsideruan ndarjen e tij një humbje për jetën publike në Berat dhe më gjerë.

Pas homazheve, kortezhi mortor u drejtua për në varrezat e Burdulliasit, ku u zhvillua ceremonia e varrimit rreth orës 13:00.

Në aktivitet morën pjesë edhe figura të njohura nga politika dhe arti, mes tyre Preç Zogaj, Roland Bejko, Yzedin Hima dhe deputeti Erion Braçe, të cilët shprehën vlerësime për figurën e tij.

U nda nga jeta në moshën 40-vjeçare, i jepet sot lamtumira e

“Namiri ka moshën e djalit tim, na ka lidh libri, na ka rrit leximi. Fillimisht e kam takuar në panairet e librave dhe ishte i interesuar shumë dhe na bënte përshtypje që kërkonte të lexonte. Prej aty krijuam një lidhje të fortë, por kemi pasur edhe pika takimi të tjera, si me angazhimet politike e qytetare. Por gjithmonë me Namirin na ka lidh letërsia, kishte aftësi të veçantë, sidomos në recensa që askush s’i bënte më mirë sesa ai. Kohët e fundit kemi qëndruar edhe më gjatë, më është shfaqur Namiri edhe në natyrën njerëzore, me modestinë dhe vendosmërinë, intelektual i moderuar, kurajoz dhe nuk bënte kompromise banale. Ndarja e tij nga jeta është humbje e madhe për familjen patjetër, por edhe për botën intelektuale në përgjithësi, sepse s’kemi shumë intelektualë me cilësi si Namiri. Edhe për Beratin është një humbje e madhe, u trondita kur e mora vesh lajmin, sepse tre ditë para kisha folur me të për disa këshilla se çfarë të vizitoja, ishte si guidë. Djali e njihte gjithashtu se kanë qenë bashkë edhe në PD”, u shpreh Preç Zogaj.

“20 vite më parë, Namirin e kam njohur pikërisht këtu ku jemi, në këtë vend ku po bëjmë edhe përcjelljen. Ishte një djalë i brishtë, por aq sa i brishtë dukej, aq i fortë ishte nga brenda. Me rritjen e tij, jo vetëm fizike por edhe profesionale, na bëri që këtë djalë ta dëgjojmë dhe jo thjesht ta këshillojmë. U bë një figurë e rëndësishme jo vetëm në gazetari, por edhe në jetën aktive të Beratit dhe telefonata e kontakti i parë që bëja kur vija në Berat ishte Namiri. Ka lënë boshllëk të madh, si në gazetari, ashtu edhe në familje. Zuri vendin e tij në mjedisin shqiptar, sot që është larguar ai vend është bosh. Të shpresojmë e besojmë se Zoti do e ketë afër tij. I thosha shpesh Namir Bej, erdhi si bej dhe si bej u largua", tha Roland Bejko.

“Namirin nuk e kam njohur thjesht si drejtues i Drejtorisë Arsimore kur kam qenë, por si një koleg, mësues, padyshim edhe si koleg në media dhe në veprimtarinë letrare. Edhe pse nuk ishte në moshë me mua, ishte bashkëbisedues i mrekullueshëm, shfaqej sikur të ishte bashkëmoshatar, me intelekt, mund të bisedoje dhe të këshilloheshe. Karakteri i tij u formua nëpërmjet librit dhe familjes së tij, sepse vinte nga një familje e persekutuar, por atë dhimbje e ktheu në tolerancë. Ikja e tij është ikje e humbje e madhe jo vetëm për familjen, por për Beratin, intelektualët dhe të gjithë Shqipërinë. Namiri ishte busull morale jo vetëm e këtij brezi, por edhe e të gjithë brezave që do vijnë”, u shpreh Yzedin Hima.

Namir Lapardhja lindi në Berat në vitin 1986 dhe kreu arsimin e mesëm në Medresenë e qytetit. Më pas përfundoi studimet e larta në Universitetin e Tiranës dhe një master të nivelit të dytë në “Studime Letrare”.

Ai punoi si mësues dhe u angazhua paralelisht në median e shkruar dhe atë vizive, ku trajtoi zhvillime politike dhe shoqërore përmes analizave të tij.

Lapardhja ishte autor i librave “Përtej heshtjes”, “Në kërkim të kuptimit” dhe “Refleksione”. Ai vinte nga një familje e persekutuar dhe jetonte prej disa vitesh në Gjermani, duke mbetur aktiv në debatin publik. Në jetën personale ishte baba i dy vajzave. 

namir lapardhaja

Lini një Përgjigje