TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 6 Nëntor 2025, 22:45

“Turp kombëtar”/ Miratimi i ligjit për barazinë gjinore, deputetët e PS priten me protesta jashtë Kuvendit

Shkruar nga Pamfleti

“Turp kombëtar”/ Miratimi i ligjit për barazinë

Tension jashtë Kuvendit të Shqipërisë pas miratimit të projektligjit për “Barazinë Gjinore”. Deputetët e Partisë Socialiste janë pritur me thirrjet “Turp kombëtar” nga dhjetëra qytetarë të mbledhur për të kundërshtuar ligjin që u votua sot në seancën plenare.

Protestuesit qëndruan për orë të tëra jashtë Parlamentit, duke mbajtur pankarta dhe duke kërkuar që ligji të mos miratohej, ndërsa brenda sallës u regjistruan 77 vota pro. Ata e cilësuan vendimin si “goditje ndaj vlerave tradicionale dhe familjes shqiptare”.

Pas mbylljes së seancës plenare, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i shoqëruar nga disa deputetë të opozitës, doli për të takuar protestuesit. Ai i falënderoi për qëndrimin e tyre dhe përsëriti kundërshtinë ndaj ligjit, duke e quajtur “hapje të rrugës për instalimin e një ideologjie të rrezikshme në Shqipëri”.

Protesta përfundoi pa incidente, ndërsa debati për ligjin e barazisë gjinore pritet të vazhdojë në ditët në vijim, me shoqërinë civile dhe partitë politike të ndara në qëndrime të forta.

Lini një Përgjigje