Gjykata e Durrësit ka lënë në burg 5 të arrestuarit lidhur me tjetërsimin e pronave në Spitallë.
Pesë personat e arrestuar, Lirim Xhameta, Dashnor Taulla, Ardit Kërtusha, Leonard Kadrimi dhe Gjovalin Ndoci, ranë në pranga si pasojë e një operacioni me urdhër të SPAK në kadastrën e Durrësit dy ditë më parë.
5 të arrestuarit akuzohen për falsifikim pronash në Spitallë të Durrësit, pasi tjetërsuan 448 mijë m2 tokë.
Përfituesit e kësaj toke, kanë deklaruar në prokurori se nuk janë pronarë, por kanë firmosur për llogari të Ardit Kërtushës.
Nga hetimet e prokurorisë së Durrësit rezulton se juristja e Kadastrës Aida Kila ka pranuar dokumentet false të Lirim Xhametës duke i hapur rrugë së pas regjistrimit me falsifikim të kësaj prone. Ndërsa juristi tjeter Mikel Zaho dhe zv/drejtori i Kadastrës Leonard Kadrimi me veprimet e tyre kanë lejuar tjetërsimin e mëtejshëm të pronës.
Mësohet se deri më tani janë marrë në pyetje 23 persona mes të cilëve edhe dy ish-drejtues të Kadastrës Liridon Pula dhe Bedri Luku që kanë treguar praktikën e ndjekur për regjistrimin e kësaj sipërfaqe toke. Po kështu, janë sekuestruar edhe një sërë dokumentesh që pritet t’i vijnë në ndihmë hetuesve për të zbuluar rolin e personave të përfshirë.
Nga hetimet, ka rezultuar se nga ana e personave të ndryshëm, me anë të dokumenteve të falsifikuara si dhe punonjësve të Agjencisë Shteterore të Kadastrës, janë kryer veprime qe kanë sjellë tjetërsimin e 448,000 m2 tokë nga pasuri e në pronësi të shtetit në pasuri të individëve. Ndërkohë, ish zëvendës drejtuesi i Kadastrës, Leonard Kadrimi ish-juristi Ardit Kërtusha dyshohet se duke shpërdoruar detyrat, pasi kanë lehtësuar tjetërsimin e pasurisë së paluajtshme.
Lini një Përgjigje