
SPAK ka depozituar në Kuvend raportin vjetor të 2024, ndërsa në të evidentohet jo vetëm veprimtaria e Prokurorisë Speciale në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, por edhe një seri problematikash në raport me bashkëpunimin mes institucioneve.
Në raport, Prokuroria e Posaçme thekson se ka vijuar bashkëpunimin ndërinstitucional me Prokurorinë e Përgjithshme, prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, policinë gjyqësore, policinë e shtetit dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit.
Sipas tyre, ky bashkëpunim ka qenë i vazhdueshëm dhe pa pengesa, në funksion të zbatimit të ligjit për luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, parandalimit dhe ndëshkimit të autorëve të veprave të tilla penale.
SPAK tregon se gjatë vitit 2024, numri i hetimeve të filluara nga Prokuroria e Posaçme për shkak të kallëzimeve nga institucionet publike ka pësuar një rritje me rreth 66,6 % krahasuar me vitin paraardhës (nga 12 në vitin 2023, në 20 në vitin 2024), ndërkohë që hetimet e filluara për shkak të kallëzimeve nga policia e shtetit kanë pësuar një rënie në masën rreth 70,8%.
Për këtë periudhë, pranë Prokurorisë së Posaçme janë depozituar në total 300 kallëzime penale, prej të cilave rreth 8,3% e rasteve nuk kanë qenë në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme.
Në funksion të ndjekjes penale dhe në respektim të dispozitave ligjore të ndarjes së kompetencës lëndore për veprat penale, gjatë vitit 2024, Prokuroria e Posaçme, pasi ka kryer hetimet e plota, ka transferuar pranë Prokurorive të Rretheve Gjyqësore 87 procedime penale me 114 persona të nën hetim.
Ky numër procedimesh është i njëjtë me atë të vitit paraardhës.
Lini një Përgjigje