
Raporti i vjetor i SPAK, detajet se si operojnë grupet kriminale
Prokuroria e Posaçme ka treguar detaje se si operojnë grupet kriminale në vendin tonë. Sot ka shkuar në Kuvend raporti vjetor për vitin 2024 dhe aty jepen detaje për krimin, korrupsionin, pastrimin e parave, etj.
Sipas raportit që ka siguruar “Pamfleti” janë 16 grupe kriminale shumë të rrezikshme që operojnë në vend. Po ashtu janë treguar dhe qytetet ku operojnë këto grupe. Një hapësirë i është kushtuar dhe mënyrës se si trafikohet droga. Po ashtu theksohet se një ndihmë të madhe në këtë aspekt ka dhënë edhe zbërthimi i aplikacionit “SKY ECC”.
Pjesë nga raporti i SPAK
Trafiku i Drogës
Grupet kriminale shqiptare vijojnë të jenë aktive dhe kryesisht në trafikun e kokainës dhe të kanabisit. Këto grupe janë aktive në disa shtetet të Bashkimit Evropian (BE), kryesisht në Itali, Spanjë, Belgjikë, Holandë, Francë, Gjermani, si dhe në vende të tjera si Norvegjia, Zvicra dhe Mbretëria e Bashkuar (MB). Këto gjetje përputhen edhe me gjetjet raporti të vitit 2024 i Europol.22 Siç kemi theksuar edhe në raportin vjetor të SPAK për vitin 2023, grupet kriminale shqiptare kanë arritur tashmë të sigurojnë blerjen e kokainës në vendet e prodhimit të tyre në Amerikën Latine. Kokaina kryesisht porositet në sasi të konsiderueshme në Bolivi, Meksikë, Peru, Ekuador, dhe Paraguai.
Shtetas shqiptarë, anëtarë të grupeve kriminale shqiptare, me banim në Brazil, Paraguai, Ekuador dhe Surinam, në disa raste në role drejtuese të grupit kriminal ose në disa raste në role dytësore (kryesisht koordinuese) ndjekin të gjithë procesin e transferimit të ngarkesës nga vendi i origjinës deri në destinacion. Këto dërgesa kalojnë në BE dhe Ballkanin Perëndimor kryesisht nëpër porteve hyrëse të Gioia Tauro (Itali), Roterdam (Holandë), Antëerp (Belgjikë), Algeciras (Spanjë), Pire (Greqi), si dhe nëpërmjet porteve të Durrësit (Shqipëri) dhe Tivarit (Mal i Zi). Shumë prej eksponentëve kryesorë të këtyre grupeve janë vendosur në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Megjithëse në një shkallë më të ulët, grupet kriminale shqiptare janë gjithashtu të përfshira në kontrabandën e qenieve njerëzore dhe krimin kibernetikë, të cilat janë pjesë e tregjeve ndërkombëtare të BE-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Grupet Kriminale me rrezikshmëri të lartë
Sipas vlerësimit të brendshëm të SPAK, janë identifikuar rreth 16 grupe kriminale me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të cilat janë të mbështetur në lidhje familjare dhe miqësore dhe janë të përfshirë edhe në tregjet ndërkombëtare kriminale, kryesisht në trafikun e kokainës. Këto grupe janë aktive në qarqet e Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Kukësit, Lezhës, Elbasanit dhe Vlorës. SPAK ka arritur të provojë me sukses 10 prej këtyre grupeve kriminale me aktivitete kriminale në disa qytete të vendit si Tiranë (3); Durrës (2); Elbasan (2); Shkodër (1), Lezhë (1) dhe Kukës (1). Nga veçoritë dalluese të këtyre grupeve kriminale është struktura e tyre hierarkike, ndarja e roleve, përfshirja në anëtarësinë e tyre të përfaqësuesve të gjyqësorit, prokurorisë, policisë së shtetit, medias dhe botës akademike. Disa tipare të tjera të veçorive të këtyre grupeve janë përdorimi i komunikimeve të koduara si SKY ECC dhe pastrimi i parave nëpërmjet kriptovalutave.
Komunikimi i koduar “Sky ECC”
Administrimi i të dhënave nga Sky ECC, i kombinuar edhe me prova të tjera, ka mundësuar identifikimin e të paktën 9 prej këtyre grupeve kriminale. Analiza e thelluar e komunikimeve të dekriptuara, mundëson jo vetëm identifikimin e aktivitete kriminale dhe të modus operandi, por edhe për të kuptuar më mirë mënyrat e veprimit, lidhjet me grupet e tjera kriminale brenda dhe jashtë vendit. /Pamfleti
Lini një Përgjigje