TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë 2 Prill 2025, 15:55

33 "sheikë" nën hetim/ SPAK alarmon politikën: 3 mijë telefona nën përgjim, vëzhgime e infiltrime për të goditur të korruptuarit

Shkruar nga Pamfleti
33 "sheikë" nën hetim/ SPAK alarmon politikën: 3
Altin Dumani në Parlament

Publikohet Raporti Vjetor i SPAK për vitin 2024...

Prokuroria e Posaçme duket e vendosur në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Edhe pse politika po e godet dhe po tenton ta demoralizojë, të dhënat flasin se lufta vijon.

SPAK ka dorëzuar në Kuvend raportin e punës për vitin 2024, ku jepen detaje dhe statistika nga angazhimi për vitin që lamë pas.

Në raport theksohet se përsa i përket luftës kundër korrupsionit, Prokuroria e Posaçme ka ndjekur një qasje aktive duke hetuar një numër të konsiderueshëm zyrtarësh të lartë. Gjatë vitit 2024, rezultojnë 33 ish-zyrtarë të lartë nën hetim (ku dy prej tyre janë të regjistruar në dy procedime të ndryshme secili), nga të cilët 19 zyrtarë janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim.

Lidhur me volumin e çështjeve nën hetim për veprat penale në fushën e korrupsionit, gjatë vitit 2024, Prokuroria e Posaçme ka shënuar një rritje me rreth 8% krahasuar me vitin paraardhës (nga 447 çështje nën hetim për vitin 2023 në 483 çështje nën hetim për vitin 2024). Po kështu, është rritur me rreth 20%, edhe numri i personave të cilët kanë qenë nën hetim për vitin 2024 në krahasim me ata të vitit paraardhës (nga 212 persona nën hetim në vitin 2023, në 257 persona nën hetim në vitin 2024). Rritje në masën rreth 8% ka shënuar gjithashtu, edhe numri i hetimeve të përfunduara dhe të dërguara për gjykim në krahasim me vitin 2023 (nga 38 në vitin 2023, në 41 në vitin 2024)”, thekson SPAK.

Nga ana tjetër, prokuroria bën me dije se ka vijuar me përgjimin e telefonave. Sipas raportit, gjatë vitit që lamë pas janë përgjuar afro 3 mijë telefona. Po ashtu ka pasur vëzhgime në terren dhe infiltrime.  

Po kështu theksojmë se, ka pasur një rritje të aplikimit të metodave të hetimit pro aktiv, në rastin e përgjimeve telefonike dhe gjithashtu, edhe aplikimi i metodave të posaçme të hetimit si, vëzhgime, kontrolle, simulime, sekuestrimi i provave materiale, letër porosi, agjentë të infiltruar, etj. Gjatë vitit 2024, Prokuroria e Posaçme ka përdorur metodën e përgjimit për 163 procedime penale ku janë interceptuar 3096 pajisje fundore (pajisja/numri telefonik i subjektit ne përgjim). Krahasuar me vitin 2023, numri i pajisjeve fundore të interceptuara është 7,1% më i ulët (3335 pajisje fundore të interceptuara gjatë vitit 2023)”, thekson SPAK.

Sipas SPAK, lufta kundër krimit të organizuar edhe për këtë vit, krahasuar me vitin paraardhës, ka shënuar arritje të rëndësishme me një rritje prej rreth 18,8% të regjistrimeve të këtyre procedimeve penale. Po kështu, është rritur edhe numri i personave të cilët janë nën hetim për këto procedime me rreth 21,6%, krahasuar me vitin 2023. Nga ana tjetër, ka një rënie me rreth 7,3% të çështjeve të dërguara për gjykim për shkak të volumit dhe kompleksitetit të tyre.

Pjesë nga raporti

Në Prokurorinë e Posaçme për periudhën e vitit 2024, janë hetuar gjithsej 854 procedime penale, nga të cilat 526 procedime penale janë mbartur nga viti 2023, ndërsa 328 procedime penale janë regjistruar gjatë vitit 2024, si procedime penale të reja.

Nga numri total i procedimeve penale të hetuara, për 61 procedime penale është vendosur bashkimi i çështjes, duke pasur në hetim për këtë periudhë kohore gjithsej 793 procedime penale me 844 persona nën hetim.

Nga 328 procedime penale të regjistruara për vitin 2024, 61 procedime penale kanë ardhur për kompetencë nga Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm, 65 procedime janë të regjistruara kryesisht. Ndërkohë, janë filluar mbi bazën e referimeve penale të shërbimeve të policisë gjyqësore, të kallëzimeve penale të institucioneve të ndryshme vendase dhe autoriteteve të huaja, enteve private të shtetasve etj., 202 procedime penale.

Nga 65 procedime penale të regjistruara kryesisht me 29 persona në hetim, 4 procedime janë bashkuar me procedimet e tjera.

Është vendosur mospranimi i akteve për 18 procedime penale të dërguara për kompetencë lëndore nga Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm, të cilat janë ridërguar në Prokuroritë kompetente.

Janë regjistruar gjithsej, 300 kallëzime nga të cilat, për 127 kallëzime është vendosur mos fillim procedimi penal, për 8 kallëzime penale, nuk është marrë vendimmarrje gjatë vitit 2024 dhe janë mbartur në vitin 2025 (për dy kallëzime është vendosur mos fillim procedimi penal në vitin 2025 dhe për 6 kallëzime penale, është regjistruar procedim penal në vitin 2025), për 138 kallëzime penale është vendosur regjistrimi i procedimit penal, për 2 kallëzime penale të vitit 2024 është vendosur bashkimi me procedim penale të tjera dhe për 25 kallëzime penale është vendosur mos kompetencë.

Në lidhje me vendimet e mos fillimit të procedimit penal, është paraqitur ankim në Gjykatë në 64 raste, nga të cilat për 2 vendime është vendosur lënia në fuqi, për 42 vendime mos fillimi vazhdon gjykimi në Gjykatën e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si dhe për 20 vendime mos fillimi vazhdon gjykimi në Gjykatën e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Nga 793 procedime penale në hetim me 844 persona nën hetim, rezulton se gjatë vitit 2024 kanë përfunduar hetimet për 218 procedime penale me 444 persona nën hetim/të pandehur, ku për 63 procedime me 311 të pandehur është paraqitur kërkesë për gjykim, për 41 procedime penale me 19 persona në hetim është paraqitur kërkesë për pushimin e çështjes, 87 procedime penale me 114 persona në hetim janë transferuar për kompetencë në Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm dhe për 27 procedime penale është vendosur pezullimi i hetimeve. Ndërsa 575 procedime penale me 400 persona në hetim janë mbartur për vitin 2025.

Në lidhje me hetimin të veprave penale në fushën e korrupsionit, Prokuroria e Posaçme ka hetuar gjithsej 483 çështje (mbartur dhe regjistruar) me 257 persona. Nga këto janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim 41 çështje me 141 të pandehur.

Në lidhje me hetimin të veprave penale në fushën e krimit të organizuar, Prokuroria e Posaçme ka hetuar gjithsej 245 çështje me 400 persona. Nga këto janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim 21 çështje me 134 të pandehur.

Në lidhje me kërkesat për gjykim, rezulton të jenë dërguar në gjykatë 63 kërkesa për gjykim me 311 të pandehur nga të cilat 21 kërkesa për gjykim me 134 të pandehur për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar, 41 kërkesa për gjykim me 141 të pandehur për vepra penale të lidhen me korrupsionin dhe për 1 kërkesë për gjykim me 36 të pandehur për vepra penale të tjera.

Në 41 procedimet penale për të cilët është paraqitur kërkesë për pushimin e çështjes kanë qenë nën hetim 19 persona, nga të cilët 8 kërkesa për pushim me 8 persona nën hetim për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar, 30 kërkesa për pushim me 3 persona nën hetim për vepra penale të lidhen me korrupsionin, dhe për 3 kërkesa për pushim me 8 persona nën hetim për vepra për vepra penale të tjera.

Në 87 procedimet penale, që janë transferuar në Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm kanë qenë 114 persona nën hetim, 13 procedime penale për vepra në fushën e krimit të organizuar, për 63 procedime penale me 13 persona nën hetim për vepra në fushën e korrupsionit, për 11 procedime penale me 101 persona nën hetim për vepra penale të tjera. /Pamfleti

Lini një Përgjigje