TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 9 Mars 2026, 14:38

SPAK rrëzon Ramën: Kërkesat ‘arrest me burg’ janë ulur, rritje për përgjime telefonike dhe pajisje kompjuterike

Shkruar nga Pamfleti
SPAK rrëzon Ramën: Kërkesat ‘arrest me burg’
Edi Rama dhe SPAK

SPAK, në raportin vjetor për 2025-ën, rrëzon pretendimin e Kryeministrit Edi Rama, por edhe shumë zyrtarëve të tjerë të PS-së, lidhur me masat e sigurisë “arrest me burg” që tejkalojnë edhe mesataren e vendeve europiane.

Prokuroria Speciale evidenton ulje të paraburgimeve dhe rritje të ekspertizave teknike në hetime.

SPAK thekson përdorimin më të madh të masave alternative të sigurisë dhe forcimin e kapaciteteve hetimore përmes analizave digjitale dhe sistemit elektronik të menaxhimit të çështjeve.

Sipas të dhënave, numri i paraburgosurve me kërkesë të SPAK që ndodhen në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) përbën rreth 12% të totalit të paraburgosurve. Ndërkohë, personat e dënuar me burg si rezultat i hetimeve të SPAK përbëjnë rreth 11% të numrit total të të burgosurve.

Raporti evidenton gjithashtu një rënie me rreth 53.4% të përdorimit të masës “arrest me burg”, duke treguar një orientim më të madh drejt masave alternative të sigurisë. Sipas SPAK-ut, për vitin 2025:

për veprat penale të korrupsionit, masa e “arrest me burg” është aplikuar për rreth 3.45% të personave nën hetim (nga rreth 5% në vitin 2024);
për krimin e organizuar, kjo masë është përdorur për 21.4% të personave nën hetim, nga rreth 31% në vitin 2024.
Në periudhën 2022–2025, Sektori i Ekspertizës pranë SPAK ka shënuar një rritje prej rreth 31% të akteve të ekspertimit, duke reflektuar zgjerimin e kapaciteteve teknike të laboratorëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Telefonat celularë përbëjnë 70–75% të provave të analizuara, duke nxjerrë në pah rëndësinë e analizës së:

metadatave,

komunikimeve online,

aplikacioneve të enkriptuara.

Ndërkohë, analizat mbi pajisjet kompjuterike janë rritur me 62%, duke reflektuar shtimin e dokumenteve financiare dhe materialeve elektronike në hetime. 

Lini një Përgjigje