TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 9 Mars 2026, 14:21

Raporti i SPAK: Skema të sofistikuara, si grupet kriminale pastrojnë paratë në tregun shqiptar

Shkruar nga Pamfleti
Raporti i SPAK: Skema të sofistikuara, si grupet kriminale pastrojnë
Ilustrim

Në disa raste është konstatuar përdorimi i rrjeteve ndërkombëtare me operim në disa shtete, ku funksionet e gjenerimit të të ardhurave kriminale, transferimit të tyre dhe riintegrimit në ekonomi ndahen midis strukturave të ndryshme...

SPAK ka publikuar raportin vjetor për 2025-ën, ku ka skanuar veprimtaritë kriminale përgjatë vitit të kaluar. Në raportin vjetor, SPAK zbulon se si grupet kriminale pastrojnë paratë në tregun shqiptar, ndërsa evidenton edhe skemat e sofistikuara. Analizat e hetimeve tregojnë përdorimin e kriptovalutave, sistemit “Haëala”, bizneseve fasadë dhe investimeve në pasuri të paluajtshme për të fshehur të ardhurat kriminale.

Analiza e rasteve të hetuara gjatë viteve të fundit tregon se grupet e strukturuara kriminale përdorin një model të integruar për pastrimin e parave, i lidhur drejtpërdrejt me aktivitetet kryesore kriminale që gjenerojnë të ardhura. Burimet kryesore të këtyre fitimeve janë trafiku i narkotikëve, trafiku i armëve, emigrimi i paligjshëm, trafiku i qenieve njerëzore dhe skemat mashtruese financiare.

Sipas të dhënave hetimore, skemat e pastrimit karakterizohen nga diversifikimi i kanaleve të transferimit dhe maskimit të fondeve. Për këtë qëllim përdoren sisteme informale të transferimit të parave si “Haëala”, përdorimi i kriptovalutave, qarkullimi intensiv i parave në dorë (cash) dhe fragmentimi i transaksioneve për të shmangur raportimin financiar.

Në disa raste është konstatuar përdorimi i rrjeteve ndërkombëtare me operim në disa shtete, ku funksionet e gjenerimit të të ardhurave kriminale, transferimit të tyre dhe riintegrimit në ekonomi ndahen midis strukturave të ndryshme. Komunikimi për koordinimin e këtyre veprimeve realizohet shpesh përmes platformave të enkriptuara dhe përmes ndërmjetësve financiarë të specializuar.

Raporti i SPAK: Skema të sofistikuara, si grupet kriminale pastrojnë

Biznese fasadë dhe ndërmjetës financiarë

Një praktikë e përsëritur në disa raste hetimore është përdorimi i subjekteve tregtare formalisht të ligjshme për të fshehur qarkullimin dhe riciklimin e fondeve kriminale. Në këto skema janë përfshirë zyra të këmbimit valutor, kompani të transferimit të parave, agjenci udhëtimi, kompani ndërtimi dhe subjekte tregtare të ndryshme, si dhe struktura financiare jobankare.

Këto biznese shërbejnë jo vetëm për depozitimin dhe shpërndarjen e shumave të mëdha të parave, por edhe për krijimin e dokumentacionit fiktiv që justifikon origjinën e fondeve. Një karakteristikë tjetër e evidentuar është mënyra e shpërndarjes së përfitimeve brenda rrjeteve kriminale.

Sipas rasteve të analizuara, personat që realizojnë transferimin dhe transportin e parave zakonisht përfitojnë nga 3 deri në 10 për qind të shumës së transferuar. Në shumë raste, rreth 5–6 për qind e shumës i takon koordinatorëve në vendin e origjinës dhe në vendin e destinacionit, ndërsa transportuesit fizikë paguhen me përqindje më të ulëta, rreth 1–5 për qind, ose me pagesë fikse për çdo dërgesë.

Integrimi i parave në ekonominë formale

Faza përfundimtare e procesit të pastrimit të parave lidhet me integrimin e të ardhurave kriminale në ekonominë formale. Hetimet tregojnë se kjo realizohet kryesisht përmes investimeve në pasuri të paluajtshme, biznese me qarkullim të lartë cash dhe aktivitete tregtare me kontroll të brendshëm të dobët financiar.

Qëllimi i kësaj faze është që fondet me origjinë kriminale të paraqiten si të ardhura të ligjshme, duke e bërë më të vështirë identifikimin dhe gjurmimin e tyre nga autoritetet. Në tërësi, rastet e analizuara tregojnë një kalim nga skema sporadike të pastrimit të parave drejt aktiviteteve më të qëndrueshme dhe të strukturuara, të mbështetura nga organizim i sofistikuar dhe bashkëpunim ndërkombëtar. /Pamfleti/

 

spak pastrim parash shqiperi

Lini një Përgjigje