Lufta në Lindjen e Mesme është kthyer në vëmendjen e mediave botërore, ku edhe në vendin tonë janë rritur shqetësimet në lidhje me sulme që mund të marrë Irani, pasi në Shqipëri është strehuar opozita iraniane MEK.
Në lidhje me këtë temë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar lidhur me rreziqet e mundshme të sigurisë për Shqipërinë.
Ambasada Amerikane thekson në reagimin e saj se SHBA dhe Shqipëria po koordinohen vazhdimisht për çështjet e sigurisë.
“Si aleatë në NATO, Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria diskutojnë dhe koordinohen rregullisht për shqetësimet e përbashkëta të sigurisë. Ne mbetemi vigjilentë për të garantuar sigurinë e qytetarëve amerikanë dhe shqiptarë njëkohësisht”, thuhet në përgjigjen e ambasadës amerikane për Euronews Albania.
Prej vitesh, vendi ynë strehon rreth tre mijë anëtarët të opozitës iraniane, MEK, të cilët janë vendosur në zonën e Manzës në Durrës.
Ndërsa ish-lideri Suprem i Iranit Ali Ajotollahu, i cili humbi jetën pas sulmeve të SHBA-së dhe Iranit, e quajti Shqipërinë si “vend djallëzor".
Ndërkohë ditën e sotme një raketë balistike e lëshuar nga Irani u shkatërrua nga mbrojtjet e NATO-s në Mesdheun lindor, por disa pjesë të municioneve ranë më vonë në provincën juglindore të Turqisë, Gaziantep.
Njoftimi erdhi nga Ministria turke e Mbrojtjes, që specifikon se nuk pati viktima apo të lënduar. Raportimet fillestare sugjerojnë se raketa ishte drejtuar për në aeroportin ushtarak Inxhirlik, në Turqinë jugore.
“Turqia i kushton rëndësi të madhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit rajonal. Megjithatë, ne përsërisim se çdo kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj territorit ose hapësirës ajrore tonë do të kundërshtohet me të gjitha masat e nevojshme, të marra me vendosmëri dhe pa hezitim”, tha minsitria turke.
Edhe disa ditë më parë, Turqia akuzoi Iranin se lëshoi një raketë në drejtim të territorit të saj, por qeveria në Teheran mohoi se ishte autore e sulmit.
Lini një Përgjigje