
SPAK investon miliarda lekë për pajisje të reja operative...
Prokuroria e Posaçme duket se po blindohet nga të gjitha anët. Teksa ky do të jetë viti i fundit i Altin Dumanit si kryetar, duket se po bëhet gjithçka që SPAK të ketë mbyllur procesin e plotësimit me pajisje dhe rikonstruksionin e godinës së saj dhe të BKH-së.
SPAK ka publikuar në faqen e saj zyrtare të dhënat mbi parashikimet për prokurimet publike gjatë këtij viti dhe, përveç shpenzimeve për punën e përditshme, bie në sy fakti se çereku i buxhetit do të shkojë për pajisje speciale përgjimi apo monitorimi. Sipas regjistrit, gjatë këtij viti SPAK parashikon të shpenzojë në total afro 3 milionë euro për investime. Por nga këto, 1.104.994 euro pritet të shkojnë për pajisje speciale.
Tenderi me kosto më të lartë është “Blerje pajisje dhe sisteme të teknikës operative”, që do të jetë një tender sekret. Plani ka qenë që të zhvillohej në prill, por duke qenë se është sekret, nuk dihet nëse është finalizuar apo vijojnë procedurat. Kostoja e tij është 101.072.851 lekë të reja. Pra, gati 1 miliard lekë.

Ndërkohë, në qershor është parashikuar tenderi: “Blerje pajisje të teknikës operative” me vlerë 7.500.000 lekë të reja. Në total, të dyja shkojnë mbi 1 miliard lekë të vjetra apo rreth 1.1 milion euro.
Duhet theksuar se SPAK goditjet më të forta i ka bërë përmes metodave proaktive. SPAK po përdor përgjimin dhe monitorimin si një formë për të goditur korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ndërkohë, metoda që po alarmon politikën është ajo e sekuestrimit të telefonave. SPAK ka sekuestruar me qindra telefona çdo vit dhe, falë mesazheve apo bisedave të gjetura aty, ka shkuar më pas te provat. Por fakti që do të blihen pajisje të reja përgjimi, monitorimi, etj., tregon se SPAK po përgatitet për goditje të tjera të bujshme. /Pamfleti
Lini një Përgjigje