TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 2 Qershor 2025, 15:37

Nuk u vinin gjoba “të fortëve” që shkelnin rregullat e qarkullimit rrugor, Prokuroria dërgon në gjyq 6 policë në Elbasan

Shkruar nga Pamfleti

Nuk u vinin gjoba “të fortëve” që shkelnin rregullat

Prokuroria e Elbasanit ka çuar për ndjekje penale gjashtë punonjës policie, të akuzuar për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre. Efektivët, që shërbenin pranë Seksionit të Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë, akuzohen se kanë toleruar me vetëdije drejtues mjetesh që shkelin rregullat e qarkullimit, në këmbim të përfitimeve të dyshuara korruptive.

Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, personat me iniciale Xh.S., E.H., A.T., N.Xh., E.K., dhe B.T. janë vënë nën hetim për veprat penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim detyre”. Hetimi, i kryer në bashkëpunim me AMP Elbasan-Korçë, ka zbuluar një skemë të përsëritur mosndëshkimi të shkelësve të qarkullimit, çka përbën dëm të drejtpërdrejtë për interesin publik dhe financiar të shtetit.

Të akuzuarit dyshohet se nuk vendosnin gjoba ndaj drejtuesve të mjeteve, edhe kur konstatonin shkelje të rënda, duke shkelur hapur detyrimet e tyre ligjore. Në vend që të zbatonin ligjin, ata kanë preferuar të fusin në xhep përfitime personale; një sjellje e papranueshme për uniformën blu dhe një alarm tjetër për shëndetin e policisë shqiptare.

Prokuroria e Elbasanit i bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo formë abuzimi dhe korrupsioni nga punonjësit e shtetit. Lufta kundër pandëshkueshmërisë nuk mbaron me këto gjashtë emra – është koha që zinxhiri i përgjegjësisë të shkojë më lart.

Njoftimi i prokurorisë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq gjashtë punonjës policie, shtetasit Xh.S., E.H., A.T., N.Xh., E.K., dhe B.T. nën akuzë për veprat penale ‘Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike’ dhe ‘Shpërdorim detyre’ parashikuar nga nenet 259/1, 248 dhe 25 të Kodit Penal.

Në përfundim të një hetimit të plotë, të gjithanshëm duke përdorur dhe metodat proaktive të hetimit në bashkëpunim dhe me AMP, Dega Elbasan-Korçë, mbi procedimin penal nr.377 të vitit 2024, u arrit të identifikohen disa raste të korrupsionit të punonjësve të policisë ndaj drejtuesve të mjeteve me qëllim mosndëshkimin e tyre administrativisht.

Shtetasit XH.S, E.H, A.T, N.XH punonjës të policisë pranë Seksionit të Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan janë akuzuar respektivitsht për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, më shumë se njëherë të parashikuar nga neni 259/1, 248, të Kodit Penal. Ndërsa shtetasit E.K, B.T, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 248 dhe 25 i Kodit Penal.

Gjatë veprimtarisë së tyre këta punonjës policie, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, edhe pse konstatonin rastet e kundërvajtjes administrative të drejtuesve të mjeteve nuk procedonin me dashje me vendosjen e masës administrative duke dëmtuar interesat financiarë të shtetit dhe interesin publik.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, i bën thirje shtetasve që të denoncojnë çdo lloj akti korruptiv apo abuzim me detyrën të çdo funksionari publik me qëllim vendosjen e tyre para përgjegjësisë penale.

Lini një Përgjigje