
Zjarri që përfshiu një sipërfaqe të konsiderueshme në pyllin me pisha të Darëzezës është riaktivizuar sërish këtë mëngjes, duke rikthyer frikën te banorët dhe autoritetet lokale.
Burime për mediat bëjnë me dije se aktualisht ndodhen në terren 4 mjete zjarrfikëse, të cilat po punojnë për shuarjen e flakëve që kanë marrë përmasa të rrezikshme për shkak të erës dhe temperaturave të larta.
Zjarri i nisur mesditën e djeshme ka djegur rreth 4 hektarë me shkurre dhe bimësi, ndërsa një sipërfaqe e vogël me pisha ka rezultuar e dëmtuar. Sipas burimeve nga prefektura e Fierit, ndërhyrja e shpejtë dhe e koordinuar mes forcave zjarrfikëse të Fierit, Roskovecit, Lushnjës, Patosit, Albpetrolit, si dhe ndihma e punonjësve të pyjores dhe banorëve, bëri të mundur vendosjen nën kontroll të flakëve.
Dy buldozerë të Bashkisë Fier kanë hapur korridore emergjente brenda masivit pyjor, për të krijuar akses për mjetet zjarrfikëse dhe për të ndaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve. Gjatë natës, në zonë kanë qëndruar në gatishmëri dy mjete zjarrfikëse dhe tre grupe operative, në një përpjekje për të shmangur çdo rrezik të riaktivizimit të vatrës. Megjithatë, mëngjesin e sotëm, zjarri është aktivizuar sërish.
Nga ana tjetër bëhet me dije se një vatër tjetër zjarri është përhapur mesditën e sotme në kodrat me ullishte të Zhupanit në Fier në vendin e quajtur” Takodrom” flakët që janë përhapur me shpejtësi të favorizuara nga era, ku janë pikasur nga banorët e zonës, të cilët kanë njoftuar menjëherë shërbimet zjarrfikëse.
Dy mjete kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje por ndërhyrja është e pamundur për shkak të terrenit të vështirë. Deri tani është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme me bimësi, shkurre e ullinj, por fatmirësisht banesat ndodhen larg.
Lini një Përgjigje