Elsa Ulliri, Bib Ndreca dhe Rudina Palloj janë treshja gjykuese për dosjen e aferës Partizani dhe brenda 10 ditësh duhet të caktojnë datën e seancës së parë të gjyqit në themel.
Në GJKKO ditën e sotme është hedhur shorti për treshen gjykuese për gjyqin e aferës Partizani.
Shorti përcaktoi kryeusese gjyqtaren Elsa Ulliri, ndërsa gjyqtarët Bib Ndreca dhe Rudina Palloi janë anëtarë.
Në këtë çështje penale janë të akuzuar ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, dhe biznesmenët Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe noterja Andia Pustina.

Treshja e gjyqtarëve duhet të mos ketë pasur asnjë lidhje të mëparshme me dosjen, as në procesin e hetimit dhe as në seancën paraprake. Për këtë arsye në shortin e sotëm do të jenë 14 gjyqtarë të shkallës së parë të GJKKO pasi Irena Gjoka dhe Flojera Davidhi janë të përjashtuara për shkak të ligjit. E para si gjyqtare e hetimeve paraprake për Partizanin dhe e dyta si gjyqtare e seancës paraprake.
Kjo treshe gjyqtarësh e zgjedhur sot duhet të përcaktojë brenda 10 ditësh datën e seancës së parë të gjyqit në themel.
Nën akuzë për korrupsion, Sali Berisha do të përgjigjet për aferën e privatizimit të klubit Partizani, për të cilën SPAK thotë se ai shfrytëzoi pushtetin që i jepte pozicioni i Kryeministrit për të pasuruar familjen e tij, përmes dhëndrit Jamarbër Malltezi. Ky i fundit do të përballet me drejtësinë për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
Masa ndaj Berishës masa “detyrim paraqitje”, u caktua më 5 janar 2025 nga gjyqtari i Apelit të Posaçëm, Engert Pëllumbi, i cili rrëzoi pjesërisht vendimin paraprak të 27 nëntorit 2024, me të cilin Berisha u lirua nga arresti shtëpiak pas më shumë se 330 ditësh.
Lini një Përgjigje