TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 2 Qershor 2025, 17:35

Situatë kritike në Darzezë, riaktivizohen vatrat e zjarrit; ndërhyrje nga ajri për të normalizuar situatën

Shkruar nga Pamfleti

Situatë kritike në Darzezë, riaktivizohen vatrat e zjarrit;

Riaktivizohet zjarri në Darëzezë të Fierit, duke krijuar një situatë alarmante për autoritetet vendore dhe forcat zjarrfikëse. Pasi flakët që shpërthyen ditën e djeshme u shuan në mëngjes, vatrat janë riaktivizuar me intensitet edhe më të lartë gjatë mesditës së sotme, duke përfshirë deri tani rreth 10 hektarë sipërfaqe pyjore.

Ministria e Mbrojtjes njoftoi se në terren ndodhen 7 automjete zjarrfikëse me rreth 40 efektivë të MZSH-së, një buldozer, një fadromë si dhe një traktor me zinxhir i vënë në dispozicion nga Bashkia Fier për hapjen e korridoreve të ndërhyrjes. Por për shkak të terrenit ranor dhe përmasave të mëdha të përhapjes së zjarrit, ndërhyrja me mjete konvencionale është bërë thuajse e pamundur.

Në një përpjekje për të frenuar avancimin e flakëve, është aktivizuar edhe një helikopter tip Cougar i Forcës Ajrore Shqiptare, i cili po ndërhyn nga ajri në koordinim me Qendrën e Bashkuar Operacionale (QBO). Ministria njoftoi se ndërhyrja ajrore u bë e domosdoshme pasi rreth orës 14:00 zjarri mori përmasa të tilla që penguan çdo përpjekje tokësore për shuarjen e tij.

Rreth orës 14:00, vatra e zjarrit është përhapur më tej dhe është bërë e pamundur ndërhyrja me mjete zjarrfikëse. Në koordinim me Qendrës së Bashkuar Operacionale (QBO), është nisur në mbështetje helikopteri tip Cougar i Forcës Ajrore për ndërhyrje nga ajri”, thuhet në njoftim.

Erërat që po fryjnë në drejtimin verior po favorizojnë përhapjen e zjarrit në zona të reja të pyllit, duke rrezikuar zgjerimin e tij përtej kufijve aktualë. Në aksion janë përfshirë forcat zjarrfikëse nga Fier, Patos, Roskovec, punonjës të shërbimit pyjor dhe banorë të zonës që po përpiqen të përballojnë flakët me mjete rrethanore.

Ndërkohë, një tjetër vatër zjarri është regjistruar në kodrat e Zhupanit, ku gjithashtu ndërhyrja e zjarrfikësve ka qenë e kufizuar për shkak të terrenit të vështirë. Burime nga Prefektura e Fierit bëjnë me dije se është kërkuar ndihmë shtesë për ndërhyrje ajrore edhe në këtë zonë, për të shmangur përhapjen e mëtejshme.

Situata në Darëzezë dhe përreth mbetet kritike dhe në zhvillim, ndërsa autoritetet thonë se janë duke bërë gjithçka të mundur për të vënë nën kontroll flakët. Ndërkohë, nuk përjashtohet mundësia që shkaktarë të zjarrit të jenë faktorë njerëzorë, të qëllimshëm apo nga pakujdesia, një fenomen që po kthehet në plagë të përsëritur gjatë stinës së verës në Shqipëri.

Lini një Përgjigje