
Gjyqtarja Elsa Ulliri që do të kryesojë trupën gjykuese ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe 4 të pandehurve të tjerë, rezulton lidhje e afërt familjare me një prej deputeteve të Partisë Demokratike. Bëhet fjalë për Andia Ullirin, e cila hyri në kuvend pas zgjedhjeve te vitit 2021.
Andia Ulliri kandidoi edhe në zgjedhjet e 11 majit, në listën e hapur të Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit. Aktualisht ajo po “lufton” për të marrë mandatin, pasi pretendon se i takon asaj dhe jo Arjan Ndojës. Ulliri pretendon se e meriton me kuotë gjinore.
Por a ka një konflikt interesi mes gjyqtares Ulliri që do të shqyrtojë procesin me të rëndësishëm gjyqësore dhe ish-kryeministrit që aktualisht mban edhe drejtimin e partisë demokratike ku bën pjesë edhe Andia Ulliri lidhje e afërt e gjyqtares? A mund të gjykojë një e afërme e një deputeteje demokrate, shefin e saj politik?
ABC News pyeti zyrtarisht kryetarin e Gjykatën se Posaçme Erjon Bani në lidhje me konfliktin e interesit dhe një dorëheqje të mundshme të gjyqtares Ulliri. Sipas kryetarit Bani, përgjigjja gjendet në nenin 15 të Kodit të Procedurës Penale. Por ky nen nuk ka asnjë lidhje me konfliktin e interesit. Neni që lidhet me papajtueshmërinë është ai 16: Papajtueshmëria për arsye lidhjeje familjare, gjinie ose krushqie.
Në të njëjtin procedim nuk mund të marrin pjesë si gjyqtarë personat që janë ndërmjet tyre ose me pjesëmarrësit në gjykim, bashkëshortë, bashkëjetues, gjini e afërt (të paralindur, të paslindur, vëllezër, motra, ungjër, emta, nipër, mbesa, fëmijë të vëllezërve dhe të motrave) ose krushqi e afërt (vjehërr, vjehrrë, dhëndër, nuse, kunatë, thjeshtri, thjeshtra, njerku e njerka), raporton ABC News.
Por kush është Elsa Ulliri?
Pasi kaloi Vetting-un, Elsa Ulliri iu shtua në tetor të vitit 2022 trupës gjykuese në Gjykatën e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Vendimi u mor nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Elsa Ulliri është një gjyqtare me eksperiencë në sistemin e drejtësisë. Ajo ka përfunduar shkollën e magjistraturës në vitin 2014, ndërsa stazhin profesional e ka kryer në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe më pas në vitin 2015-të është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë.
Për tre vite Elsa Ulliri ka mbajtur detyrën e zëvendëskryetares të kësaj gjykate, ndërsa ajo ka gjykuar çështje të rëndësishme gjatë ushtrimit të detyrës së saj në Lezhë.
Ajo ka qenë pjesë e trupave gjykuese në disa dosje të rëndësishme, të tilla si: ajo ndaj Plarent Ndrecës, inceneratorit të Tiranës, çështjes së Kryebashkiakut të Rrogozhinës, të Vangjush Dakos, Metamorfoza, etj.
Lini një Përgjigje