SPAK ka tashmë në dorë fatin e Fredi Belerit, kandidati që fitoi zgjedhjet për bashkinë e Himarës, i cili akuzohet për blerje votash.
Sikurse edhe pritej çështja e Fredi Belerit ka kaluar në duart e Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Mësohet se dosja e kandidatit të dyshes Berisha-Meta, që fitoi Himarën është përcjellë dje drejt Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion.Pritet së shpejti të dalin në një masë të re sigurie.
Ndërkohë ditën e sotme, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme dhe ambasadorja greke në Shqipëri pritet të takohen me Fredi Beleri dhe Pandeli Kokaveshin të cilët ndodhen në paraburgim.
Fredi Beleri është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Vlorës, me akuzën e korrupsionit në zgjedhje. I dënuar dy herë, i dyshuar për masakrën e Peshkëpisë, me arsim të dyshimtë dhe i skeduar për veprimtari antishqiptare, Beleri, me emër të ndryshuar në Dionisios Fredis Beleris, u kap në flagrancë duke blerë vota.
Beleri dyshohet se ka konsumuar veprën penale "Korrupsioni aktiv në zgjedhje kryer në bashkëpunim", parashikuar nga neni 328 dhe 25 të Kodit Penal. Për këtë vepër penale, parashikohet një dënim nga një vit deri në pesë vjet burg.
Fredi Beleri dhe Pandeli Kokaveshi u arrestuan më 12 Maj vetëm dy ditë para zgjedhjeve lokale.
Prokuroria e Vlorës në reagimin e saj tha se ka prova dhe fakte për shit-blerje votash.
Prokuroria tha se për këtë se ka kryer përgjime dhe vëzhgime në terren, ndërkohë që kanë pasur edhe një person të infiltruar.
Më 13 Maj, Gjykata e Vlorës vendosi që të lerë në burg Belerin dhe çështjen ia kaloi SPAK-ut, Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ndërsa më 15 Maj, Fredi Beleri, i cili garonte nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë” të dyshes Meta-Berisha, u shpall fitues i zgjedhjeve për Bashkinë e Himarës pavarësisht se ishte pas hekurave.
Në një garë përballë Jorgo Goros ai mori 19 vota më shumë.
Arrestimi i Belerit ka shkaktuar reagim të fortë nga Greqia e cila kërcënoi Shqipërinë se vendime të tilla do të kenë ndikim në anëtarësimin në BE-së.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama është shprehur pas fitores në zgjedhje se do të flasë për këtë çështje pas përfundimit të zgjedhjeve në Greqi.
Kreu i qeverisë tha se minoriteti grek nuk është mish për topat elektoralë të askujt, as në Shqipëri dhe as në Greqi. Sipas Ramës, askush nuk mund t’i kontestojë vendimet e drejtësisë në Shqipëri. Po ashtu ai theksoi se është i vendosur të bëjë maksimumin për të çuar në një nivel tjetër bashkëpunimin me dy vendeve (Lexo më shumë).
Fredi Beleri u bë pjesë e debatit politik para se të arrestohej, në javën e fundit të fushate. Shkak u bë një deklaratë e tij për një gazetë greke, ku përmendi një plan për helenizimin e Himarës. Këtë ai e mohoi më vonë duke thënë se ishte bërë një përkthim i gabuar
Lini një Përgjigje