Prokuroria e Posaçme ka pranuar se ka refuzuar të hetojë skandalin që po ndodh në Rrjoll të Velipojës, ku Bashkim Ulaj u ka grabitur pronat banorëve për të ndërtuar resort. Edhe pse banorët kërkuan ndihmën e SPAK, kjo e fundit e ka deleguar rastin në Prokurorinë e Shkodrës.
SPAK ka publikuar të dhënat te programi i transparencës, ku bën me dije se është pyetur se në çfarë faze janë hetimet mbi padinë për falsifikim të dokumenteve të pronësisë nga shtetasi Fatmir Shpellzaj, çështje kjo e përfaqësuar nga avokatët Ndue Pjetra dhe Klodian Reçi.
Përgjigja e SPAK ka qenë: “Pas verifikimit të materialeve kallëzuese, këto materiale i janë përcjellë Prokurorisë së Shkodrës, si organi kompetent për hetimin e veprave penale përkatëse”.
Në Rjoll të Velipojës, banorët akuzojnë strukturat e shtetit për ndërhyrje policore, refuzim informacioni dhe devijim hetimesh lidhur me 150 hektarë tokë shtetërore dhe private.
Në qendër të akuzave qëndrojnë Bashkim Ulaj dhe Fatmir Zenel Shpellzaj, për të cilët kërkohet hetim penal për dokumente pronësie të dyshuara si të falsifikuara.
Lidhur me tokat në Baks-Rjoll të Velipojës, banorët pretendojnë ekzistencën e një skeme bashkëpunimi mes institucioneve të drejtësisë dhe Policisë së Shtetit, me qëllim mbrojtjen nga përgjegjësia penale të zyrtarëve të përfshirë në procesin e pronësisë dhe ndërtimit të resortit.
Lini një Përgjigje