Këshilli i Lartë i Prokurorisë pranoi sot pjesërisht kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për procedim disiplinor ndaj magjistratit Kledian Llaho, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, duke i caktuar masën “vërejtje publike”.
ILD kishte konstatuar gjatë verifikimeve pas ankesave qytetare, shkelje të rënda nga prokurori, që cenonin figurën e magjistratit dhe institucionit. Një prej shkeljeve ishte edhe favorizimi i vjehrrit të tij, ndërsa kishte pasur ankesa për sjelljen edhe ndaj kolegëve magjistratë.
Si masë në dy procedime ishte kërkuar ulja e rrogës me 40% për një vit dhe largimi si kreu i institucionit të akuzës në Sarandë, meqë nuk kishte pasur precedentë administrativë të mëparshëm. Por KLP vendosi sot gjatë mbledhjes vetëm një masë të pjesshme, si ajo e vërejtjes ndaj magjistratit, që e ruan detyrën dhe rrogën e tij.
Kledian Llaho ndërkohë është nën hetim nga SPAK, si dhe me masën e sigurisë ‘pezullim nga detyra’, i dyshuar për ‘korrupsion pasiv’, pasi dyshohet se me veprimet dhe mos veprimet e tij ka favorizuar vjehrrin.
Lini një Përgjigje