Kandidati i koalicionit Berisha-Meta, Fredi Beleri nuk do të betohet sot si kryetar i bashkisë së Himarës në konstituimin e këshillit bashkiak.
Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit ditën e djeshme rrëzoi kërkesën për leje të përkohshme me argumentin ligjor se ajo jepet vetëm në rast vdekje, martese apo provimi.
Fredi Beleri ndodhet në burg për akuzën e shitblerjes së votës.
Që ai të ushtrojë detyrën për të cilën u votëbesua në 14 maj, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” duhet të betohet, në të kundërt ai nuk çertifikohet si kryebashkiak i Himarës.
Mundësinë e radhës për tu ulur në karrigen e Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri e ka në 15 korrik. Pas rekursit, Gjykata e Lartë do të vendosë për masën e sigurisë, nëse do të lërë në fuqi arrest me burg apo do ta ndryshojë në arrest në shtëpi.
Deri në ketë vendim i cili është i lidhur me betimin e kandidatit fitues të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Jorgo Goro, do të vazhdojë të ushtrojë detyrën e kryetarit të bashkisë Himarë.
Reagimi nga Athina zyrtare
Ministria e Jashtme greke në një njoftim të fundit të saj ka reaguar sa i përket refuzimit të kërkesës së kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri për dhënien e një leje të posaçme daljeje nga burgu dhe pjesëmarrjes në betim në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak të këtij qyteti.
Sipas Athinës zyrtare autoritetet shqiptare po pengojnë Belerin të marrë postin.
"Kërkesa e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleris, për të marrë një leje të posaçme, në mënyrë që të jetë pjesëmarrës nesër në mbledhjen e parë të Këshillit të ri Bashkiak, si dhe të bëjë betimin dhe të marrë zyrtarisht detyrën, u rrëzua sot. Ky refuzim tregon tani, pa asnjë dyshim, se qëllimi i autoriteteve shqiptare është ta privojnë atë, pa një dënim përfundimtar dhe pa u akuzuar, nga detyra e kryetarit të Bashkisë, në të cilën ai u zgjodh në mënyrë demokratike nga qytetarët e zonës. Si kandidate për anëtarësim në familjen europiane, Shqipëria duhet të respektojë shtetin e së drejtës dhe të drejtën e pafajësisë deri në zhvillimin e gjyqit.", thuhej në njoftimin e ministrisë së Jashtme greke.
Reagimi i opozitës
Edhe Sali Berisha reagoi në lidhje me vendimin e GJKKO, e cila refuzoi kërkesën e Fredi Belerit për të marrë pjesë në konstituimin e këshillit bashkiak të Himarës.
Me anë të një reagimi, ish kryeministri shprehet se GjKKO ka zbatuar urdhrin partiak, dhe jo normat e shtetit të së drejtës. Berisha shprehet se Partia Demokratike e konsideron vendimin si politik dhe dënon me forcë çdo hap që i bën gjykatat e vendit shkelëse të parimit të ndarjes së pushteteve.
“Fredi Beleri nuk i prishi Edi Ramës ëndrrën totalitare të hartës politike rozë, por i zuri rrugën e planeve të tij për investime strategjike me ministrat e famijes dhe familjarët e ministrave në bregdetin e Bashkisë së Himarës. Për këtë, ai e shënjestroi që nga fillimi dhe urdhëroi arrestimin e tij. Për këtë, atij i refuzohet lirimi me kusht, ndërsa ish-ministrave të tij u lejohet. Për këtë, Edi Rama luan nacionalistin në Himarë dhe internacionalistin në Beograd e Prishtinë. Nuk është punë kombesh, sepse kur ka interes, Edi Rama bëhet tregtar flamujsh. Shihni si po shet interesat Kosovës, duke punuar çdo ditë për ndarjen e saj me padronin e vet, Vuçiç.", shkroi Berisha.
Lini një Përgjigje