
Tani duket se topi është te SPAK dhe Altin Dumani bashkë me prokurorët e tjerë nuk duhet të tolerojnë xhambazin në krye të Magjistraturës...
Matrapazi në krye të Shkollës së Magjistraturës Arben Rakipi, ka përfunduar në SPAK.
Pa ju dridhur syri dhe në mënyrë fare të qartë, ai futi mbi 50 emra të rinj në listën e fituesve te provimi i Magjistraturës. Por ky skandal mund t’i kushtojë shtrenjtë, pasi mësohet se ka pasur një referim në SPAK. Sipas burimeve më të fundit, Rakipi është paditur penalisht, pasi dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën me provimin në fjalë.
Padia është bërë nga Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion, e cila e akuzon për korrupsion, falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre.
“Nga i kallëzuari Arben Rakipi si drejtues i Shkollës së Magjistraturës është ndryshuar tre herë lista duke përfshirë 52 persona shtesë. Ndryshimi i listës fillestare të të kualifikuarve është kryer 2 herë nga vetë Shkolla e Magjistraturës në kundërshtim me Rregulloren e Brendshme të Shkollës dhe në mungesë totale transparence, pasi të dy ndryshimet e listës fillestare apo "dy korrigjimet e reja" nuk janë bërë në prani të pjesëmarrësve. Konkretisht, Rregullorja e Brendshme e Shkollës së Magjistraturës, në Aneksin 2 të saj (Procedura e organizimit të provimit për seleksionimin e kandidatëve për në Shkollën e Magjistraturës) parashikon se provimi i fazës së parë: "Pas dorëzimit të fletëve të testimit, do të bëhet skanimi i çdo flete dhe vlerësimi elektronik (scan tron) në prani të pjesëmarrësve... Aplikimi: Provimi do të zhvillohet në të njëjtën sallë dhe do të vlerësohet elektronikisht po aty, në prani të pjesëmarrësve...." Po ashtu, dy korrigjimet e reja janë bërë po në kundërshtim me Rregulloren e Brendshme të Shkollës së Magjistraturës edhe për faktin se kjo rregullore nuk ka asnjë parashikim për "korrigjim për gabim të pajisjes scan tron"”, theksohet në padi.
Sipas dokumentit të siguruar nga “Pamfleti”, veprimet e dyshimta nga i kallëzuari Arben Rakipi, i cili nuk ka dhënë asnjë shpjegim zyrtar se përse 2 korrigjimet e reja për të njëjtin provim nuk janë bërë në prani të konkurrentëve, kanë filluar edhe përpara konkurrimit kur nga ana e Shkollës së Magjistraturës çuditërisht është hequr mesatarja si kriter për konkurrimin, në një kohë që kuotat për pranimet në Shkollën e Magjistraturës janë 65, më të ulta në krahasim me vitet e kaluara. Për të gjitha këto veprimeve të kundërligjshme, vijohet më tej, lindin dyshime për veprime korruptive apo në shpërdorim të detyrës të kryera nga i kallëzuari Arben Rakipi, dhe kanë tërhequr vëmendjen edhe të ndërkombëtarëve të cilët kanë mbajtur raportet përkatëse në lidhje me këtë fakt.
“Përfundimisht, bazuar në nenin 280-283 të Kodit të Procedurës Penale, kërkojmë fillimin e hetimeve për të kallëzuarin Arben Rakipi për veprën penale të korrupsionit pasiv, shpërdorimit të detyrës, falsifikimit të dokumenteve parashikuar nga Kodi Penal, si dhe për veprime të tjera të paligjshme të parashikuara nga legjislacioni penal, të cilat do të konstatohen nga një hetim i plotë dhe i gjithanshëm nga prokuroria”, përfundon padia.
Tani duket se topi është te SPAK dhe Altin Dumani bashkë me prokurorët e tjerë nuk duhet të tolerojnë xhambazin në krye të Magjistraturës. Reforma u bë që në sistem të futen më të mirët, jo njerëz të politikanëve.
Mjafton që secilin emër ta fusësh në Google dhe rezulton se janë punonjës në ministri, drejtori apo inspektorate. Një emër ka punuar te Ministria e Drejtësisë, një tjetër tek ATSH, një tek Inspektorati Shtetëror, një tek UKT, një tjetër është vajza e një drejtuesi të lartë të Policisë së Shtetit, etj.
Por si i manipuloi listat Arben Rakipi?
Pasi u mbajt provimi, pati ankesa nga studentë për keqkorrigjim të testeve. Më pas u tha se ka pasur problem pajisja 'scantron' që merret me korrigjimin dhe u bë një rikorrigjim i dytë.
Fillimisht në fazën e parë u shpallën 79 persona, pasi faji iu faturua ‘scantron’, lista për fazën e dytë shkoi në 121 fitues, dhe së fundmi doli lista me 131 emra që do të shkojnë në provim ditën e nesërme.
Pra, lista u ndryshua tre herë duke futur mbi 50 persona shtesë. Pothuajse që të gjithë janë njerëz të lidhur me pushtetin, me administratën dhe për më tepër mbajnë funksione ose kanë prindërit zyrtarë të lartë. Ndërkohë ata që vërtetë kanë punuar me mund dhe me djersë u lanë jashtë.
Pra, duket qartë se drejtësia e re po përfundon si ajo e plepave. Të korruptuarit i larguam nga dera, por nga dritarja po futen fëmijët e tyre dhe fëmijët e politikanëve, ministrave apo deputetëve. /Pamfleti
Lini një Përgjigje