Dhe mbi të gjitha, a mund të ngjyhej kjo rrotë që të rrëshqasë kaq mirë, pa firmën e të madhit. Bablokut, pa bekimin e të cilit asnjë qindarkë nuk del dot nga arka e shtetit...
Petët e lakrorit të inceneratorëve po hapen çdo ditë dhe, sa më afër harxhit shkohet - alias protagonistëve të vërtetë- aq më shumë mban erë të rëndë.
Detajet që kanë rrjedhur nga dosja e SPAK provojnë atë që "Pamfleti" ka thënë që në krye të herës: është krijuar një rast i paprecedent me përndjekjen e ish zv-Kryeministrit Arben Ahmetaj sepse po hetohet individi dhe jo çështja. E ashtuquajtura "drejtësi e re" po bën gjueti shtrigash për aq kohë sa kërkon ende gjurmën kur ujkun e ka përpara sa një gomar.
Por le t'i rikthehemi dosjes me të cilën SPAK dha spektaklin e radhës me heqjen e mandatit të Arben Ahmetajt, prerjen e fletë-arrestit e më pas shpalljen e tij në kërkim ndërkombëtar.
Në dosje citohet që nuk ka asnjë dokument të firmosur nga Ahmetaj që ta implikojë atë drejtëpërdrejtë në çështjen e inceneratorëve. Kjo është e shkruar e zeza mbi të bardhë. Indiciet që çuan policët në derën e Ahmetajn janë disa mesazhe që vërtetojnë njohjen e tij me dy Klodianët e famshëm të inceneratorëve dhe, sipas të njëjtave të dhëna, disa pasuri të ish-bashkëshortes dhe bashkëjetueses së tij, mendohet se janë vënë në kushte të dyshimta. Gjithashtu "prova" e madhe e drejtësisë janë disa dhurata të vogla për ish zv-kryeministrin, si bileta udhëtimi dhe pagesa hotelesh të njohura. Pretendimi më i madh i SPAK kundër Ahmetajt është se ai "ka përdorur influencën e tij politike" në çështjen e nxehtë të inceneratorëve dhe dy Klodianëve që i qëndrojnë përsipër.
Në fakt përgjigjen e këtij pretendimi Ahmetaj e ka dhënë me kohë.
Nëpër intervistat e pakta televizive ai ka thënë se edhe sikur të donte, nuk miratonte dot projekte të tilla shumë-milionëshe që kërkojnë firmën e të gjithë kabinetit qeveritar.
Pra, edhe sikur të ketë pasur influencë kaq të fuqishme, qoftë në këmbim të faturave të biletave dhe hoteleve të shtrenjta, qoftë të vilave në plazh, kush janë protagonistët e tjerë që nën influencën e Tigrit të qeverisë kanë injektuar dozën e duhur të pushtetit për miratimin e këtyre projekteve?
A ka gisht Belinda Balluku? Pa influencën e saj zor të lëvizë rrota e qeverisë, prandaj ca llogari duhej ta kishte dhënë edhe ajo. Nasip Naço dhe Lefter Koka? Natyrisht që po! Ata aty janë, pse vallë ende nuk kanë filluar të japin llogari siç duhet?
Dhe mbi të gjitha, a mund të ngjyhej kjo rrotë që të rrëshqasë kaq mirë, pa firmën e të madhit. Bablokut, pa bekimin e të cilit asnjë qindarkë nuk del dot nga arka e shtetit.
Karta e Edi Ramës, "ku e di unë se çfarë firmos une", nuk pi më ujë. Ajo ka qenë qesharake që në fillim kur kryeministri e ka pretenduar për herë të parë.
Gjithë këto miliona të hedhura në PPP që më vonë kanë përfunduar në skandale, gjithë investimet e tij me çek të bardhë që më vonë kanë përfunduar në skandale, gjithë këto miliona të zhdukura, nuk i bënë kurrë përshtypje këtij kryeministrit tonë?! Nuk e bënë të ndalej një herë e të ulej të lexonte kartat që i zbukuronte me firmë? Prapë vazhdon e firmos pa lexuar letrat ai? Vërtet mendon Babloku se ekziston një njeri që mund ta hajë këtë version të mbrotjes së tij?
Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishmja: Dosja e inceneratorëve i ka petët e qarta dhe lehtësisht të lexueshme. Natyrisht për ata që duan të lexojnë. Prokurorët e SPAK nuk kanë fare nevojë të vrapojnë mbas biletave të avionëve sepse ka aq shumë letra të firmosura sa mjaftojnë për të futur në burg gjysmën e qeverisë, dhe bashkë me ta, edhe qershizën që rri fshehur në qendër të Tiranës, rrethuar nga kullat e tij, dora vetë Erion Veliaj. Sikur të gjithë të kenë përdorur influencën, duke i rezistuar tundimit pa firmosur asnjë shkresë, Erioni dhe të vetët ka lënë aq shumë gjurmë shkresore dhe jo vetëm- në këtë mesele, sa mjaftojnë që ta kalbin në burg sot dhe 25 vitet e ardhshme.
Ku është drejtësia pra?/Pamfleti
Lini një Përgjigje