
Era e fortë ka dëmtuar linjat në disa zona dhe ka lënë pa energji elektrike disa fshatra
Ditën e sotme vendi ynë është përfshirë nga moti i keq. Reshje të dendura shiu, erëra të forta kanë mbizotëruar në pjesën më të madhe të vendit, duke shkaktuar përmbytje dhe dëme materiale në disa qytete.
Në veri të vendit, Spitali i Pukës doli jashtë funksionit si rezultat i shirave që sollën përmbytjen e 3 kateve të godinës, pasi prej dy ditësh ajo nuk ka një çati. Çati e saj u rrëzua nga era mbrëmjen e së mërkurës dhe ndërhyrja për riparimin e saj ka qenë i pamundur për shkak të erërave të forta.

Ndërkohë që problematike është paraqitur situata edhe në Bashkinë Shkodër, ku reshjet e dendura të shiut kanë krijuar probleme në segmentin rrugor Prekal – Kir. Gjatë natës ka pasur rrëshqitje të mëdha të rrugës çka ka sjellë bllokimin e saj për automjetet.

Edhe në Kukës moti i keq, me reshje shiu dhe erë të fortë përgjatë 24 orëve të fundit ka shkaktuar një sërë problematikash. Erërat e forta kanë lënë pa energji elektrike disa fshatra të bashkisë Kukës, konkretisht në Njësitë Administrative, Shishtavec, Topojan, Zapod, Kolsh Surroj dhe Malzi.

Në Bashkinë Has, pa energji janë Njësitë Administrative Golaj, Gjinaj. Në bashkinë Tropojë, Njësitë Administrative Lekbibaj, Bujan Llugaj, Bytyç Fierzë dhe Tropojë e Vjetër.
Probleme ka pasur edhe në aksin rrugor Skuraj-Burrel pranë fshatit Shkopet. Në disa pjesë të këtij aksi rrugor u krijuan probleme prej rënies së gurëve nga mali, fatmirësisht pa shkaktuar probleme në mjetet që qarkullojnë në këtë aks.
Në Lezhë, moti i keq ka krijuar probleme kryesisht me furnizimin me energji elektrike. Era e fortë ka dëmtuar linjat në disa zona dhe ka lënë pa energji elektrike disa fshatra në zonën e zadrimes, Ishull-Lezha dhe pjesa e Bregut të Matës.

Në Bulqizë furtuna ka prishur çatitë e shtëpive dhe ka shkatërruar një pjesë të çatisë së Pallatit të Kulturës së Bulqizës.

Në Durrës era e fortë ka rrëzuar pemët, një prej të cilave në zonën e bulevardit. Gjithashtu disa zona në Durrës kanë mbetur pa energji elektrike si shaka i erërave të forta.

Edhe në Tiranë ka pasur problematika me energjinë elektrike dhe me pemët e rrëzuara nga era e fortë.

Si pasojë e kohës së keqe në Adriatikun Jugor, në det të hapur, i shoqëruar me dallgë dhe erë të fortë, autoritetet detare shqiptare në koordinim dhe me ato Italiane, kanë vendosur anulimin e lundrimeve mbrëmjen e sotme nga Durrësit drejt Barit dhe anasjelltas. Për këtë shkak të erës së fortë vijon të mbetet i pezulluar lundrimi edhe në Vlorë dhe Shëngjin.

Si pasojë e motit të keq me erëra të forta ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike në zonat Orikum - Dukat - Llogara. Ndërkohë, moti i keq vijon ende në territorin tonë. Intensiteti i reshjeve të shiut është rritur pasdite gjë që ka shkaktuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve në disa akse.Në lezhë ka pasur përmbytje në zonën e qytetit. Ndërkohë që Policia u ka bërë apel drejtuesve të mjeteve që të lëvizin me kujdes, për të shmangur aksidentet./Pamfleti
Lini një Përgjigje