TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 1 Qershor 2026, 19:21

“Shqipëria nuk është në shitje”/ Vijon protesta para Kryeministrisë, thirrje për largimin e Ramës

Shkruar nga Pamfleti
“Shqipëria nuk është në shitje”/ Vijon protesta
Pamje nga protesta

Qindra qytetarë vijojnë protestën para Kryeministrisë kundër projektit turistik që parashikohet të ndërtohet në Zvërnec. Pas marshimit nga Ministria e Brendshme, protestuesit janë ndalur para godinës së qeverisë, ku po mbajnë fjalime dhe po artikulojnë kundërshtimin e tyre ndaj investimit.

Me pankarta në duar dhe thirrje të vazhdueshme, pjesëmarrësit kërkojnë anulimin e projektit, të cilin e konsiderojnë të dëmshëm për mjedisin dhe interesin publik. Në pankartat e mbajtura nga protestuesit lexohen mesazhe si “Shqipëria nuk është në shitje”, “Anulo projektin”, por edhe slogane politike si “Rama në burg, Berisha në burg”, "Rama ik".

Protestuesit deklarojnë se përgjegjësia për situatën në Zvërnec nuk bie vetëm mbi qeverinë aktuale, por mbi të gjithë klasën politike ndër vite. Për këtë arsye, në protestë janë dëgjuar kritika si ndaj mazhorancës, ashtu edhe ndaj opozitës.

Teksa tubimi vijon para Kryeministrisë, pjesëmarrësit kanë nisur të thërrasin në kor “Dorëheqje, dorëheqje”, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama. Thirrjet janë shoqëruar me brohoritje të tjera kundër projektit dhe kërkesa për mbrojtjen e zonës së Zvërnecit.

Protesta është e dyta radhazi në Tiranë kundër projektit, ndërsa kundërshtimi qytetar është shtuar pas ngjarjeve të së shtunës në Zvërnec, ku pati tensione mes protestuesve dhe punonjësve të një kompanie private sigurie. Organizatorët kanë paralajmëruar se mobilizimi do të vijojë edhe në ditët në vijim, deri në tërheqjen e projektit.

proteste zvernec

Lini një Përgjigje