Qendra e Tiranës është kthyer këtë të hënë në arenën e dy protestave të ndryshme, me kauza të ndara, por që po zhvillohen paralelisht në të njëjtën orë. Nga njëra anë janë kundërshtarët e resortit turistik në Zvërnec, ndërsa nga ana tjetër aktivistë dhe përfaqësues të opozitës po protestojnë kundër ofrimit të terapisë hormonale për personat transgjinorë në QSUT.
Në Sheshin Skënderbej janë mbledhur aktivistë të “Koalicionit Pro Familjes”, përfaqësues të shoqërisë civile dhe eksponentë të Partisë Demokratike, të cilët kundërshtojnë vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për të ofruar terapi hormonale për personat transgjinorë në sistemin publik shëndetësor.
Protestuesit mbajnë pankarta në mbështetje të familjes tradicionale dhe kërkojnë anulimin e udhëzimit që parashikon ofrimin e trajtimeve hormonale në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Organizatorët kanë njoftuar se pas fjalimeve në Sheshin Skënderbej, marshimi do të vijojë drejt Ministrisë së Shëndetësisë.
Debati është ndezur pas vendimit që për herë të parë në Shqipëri terapia hormonale për personat transgjinorë të ofrohet në sistemin publik. Sipas udhëzimit, trajtimi do të jetë i aksesueshëm për personat që ndjekin procesin e tranzicionit gjinor, nën mbikëqyrje mjekësore dhe sipas kritereve të përcaktuara nga autoritetet shëndetësore.
Kundërshtarët e vendimit argumentojnë se sistemi shëndetësor përballet me probleme më urgjente, duke përmendur mungesën e barnave, vështirësitë në trajtimin e pacientëve me sëmundje të rënda dhe problematikat e evidentuara ndër vite në QSUT.
Në të njëjtën kohë, në qendër të Tiranës po zhvillohet edhe protesta e dytë radhazi kundër projektit të resortit turistik në Zvërnec. Aktivistë mjedisorë dhe qytetarë kundërshtojnë investimin e planifikuar në zonën bregdetare të Vlorës, duke ngritur shqetësime për ndikimin në mjedis dhe transparencën e projektit.
kjo po kalon cdo kufi.....mbroni femijet tuaj....femta kemi boll dhe te bukura sna duhen meshkuj me ormone femerore.....zoti e ka zgjedhur gjinine qe ne krijim....te pretendosh se ndihesh femer apo ndihesh mashkull kur je femer....jane shenja te nje semundje mentale....