
Nëse ka një sektor i cili nuk njeh krizë në vendin tonë, ai është ndërtimi.
Në Shqipëri duket se ka ardhur epoka e kullave. Nëse ka një sektor i cili nuk njeh krizë në vendin tonë, ai është ndërtimi, kjo duket qartë edhe nga numri i lejeve të ndrëtimit që janë lëshuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, (KKTU) dy muajt e fundit.
118 leje ndërtimi ose zhvillimi, duke filluar nga kullat në qendër të Tiranës, resortet luksoze, komplekset e banimit dhe deri te punët publike, janë dhënë në dy mbledhjet e fundit të shkurtit dhe marsit në KKTU. Në ndryshim nga vitete e mëparshme ku Tirana mbizotëronte, vihet re se leje për kulla janë dhënë edhe në qytetet e tjera nga Veriu në Jug.
KKTU-ja dha lejet e ndërtimit ose zhvillimit për 16 kulla të larta në Tiranë dhe 8 të tjera në Vlorë. Lartësia e kullave varion nga 20 deri në 47 kate.
Leje për ndërtim në Tiranë:
“Embassy Tower” me 47 kate mbi tokë dhe 7 kate nëntokë, te Rruga e Elbasanit.

“Im Rezidence” me 26 kate me 6 kate parkimi nëntokë do të ndërtohet te Komuna e Parisit.
Te Bulevardi i Ri do të ngrihet kulla me 34 kate, ndërsa te rruga “29 Nëntori” do të ndërtohet një godinë multifunksionale, me 31 kate, me 2 kat nëntokë.
“Great Ring Rock” me 32 kate mbi tokë, do të ndërtohet pranë rrugës “Teodor Keko”.
“Parisi i Ri” me 35 kate mbi tokë me 5 kate nëntokë, te Komuna e Parisit.
"Barcelona Tower", 35 kate që do të ndërtohet ngjitur me ish Sigurimin e Shtetit.

"Sunrise Tower" me 35 kate po përsëri në kryeqytet.
“Glow Tower” godinë banimi, shërbimi dhe hotelerie 25 kate mbi tokë me 6 kat nëntokë, do të ndërtohet në rrugën “Zenel Bastari”. Në bulevardin “Gjergj Fishta”, është dhënë leje për një objekt me 16 kate mbitokë, me 3 kate nëntokë.
“Sima Tower” në rrugën “Bedri Karapici”, Bashkia Tiranë.
Lejet e ndërtimit në Vlorë:
“Flatiron of Vlora”, me 21 kate dhe 4 katesh nëntokë, në rrugën “Dhimitër Konomi”.
“Salterra”, e përbërë nga 2 objekte hoteleri, shërbime dhe rezidencial 13 dhe 24 kate mbi tokë dhe 3 kate nëntokë.
Kompleks rezidencial 11 dhe 13 kate mbitokë dhe 2 kate nëntokë në rrugën “Zenel Murra”.
“Flag Bay”, kompleks turistik dhe rezidencial me 14 kate mbi tokë dhe 2 kate nëntokë.
Nuk mund të mungonte në këto leje ndërtimi "i preferuari" i politikës, Bashkim Ulaj. KKT ka miratuar termocentralin që do të ndërtohet në Roskovec nga Terna dhe Gener 2 i Ulajt, i kundërshtuar fuqishëm nga banorët dhe shoqëria civile.
Leje të tjera për t’u përmendur janë ato të parkun diellor të Spitallës për francezët e Voltalias, ndërsa në Lezhë është dhënë leje ndërtimi për fazën e dytë të “Dukagjini Resort”, hotel dhe kazino në Shëngjin.
Lini një Përgjigje