TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 4 Qershor 2024, 21:09

Shkarkimet, presionet dhe aferat te Birra Tirana, punonjësit mposhtin në gjykatë Irfanin dhe Luan Bregasin

Shkruar nga Pamfleti
Shkarkimet, presionet dhe aferat te Birra Tirana, punonjësit mposhtin
Irfani i Tmerrshëm dhe Luan Bregasi

Fitorja e radhës e punëtorëve të Birra Tirana: Gjykata u jep të drejtë

Irfan Hysnembelliu dhe Luan Bregasi, kanë humbur betejën disa vjeçare me punonjësit e Birrës Tirana, të cilët i kanë lënë pa paga dhe u kanë shkelur çdo të drejtë.

Ka mbi 4 vjet që “Pamfleti” është e vetmja media që flet mbi një odise të dhimbshme, dramatike, e një kalvar të një grupi punëtorësh të Birrës Tirana, që janë vazhdimisht nën presionin e shtetit dhe oligarkëve.

Ata janë në një betejë mbi 5 vjeçare me pronarët e tyre, të cilët e degraduan sot një nga gjigandët e industrisë ushqimore shqiptare.

Pas një kalvari disavjeçar, Gjykata e Tiranës ka rrëzuar të gjitha akuzat e menaxhmentit të Birra Tirana të drejtuar atëherë nga Luan Bregasi (sot Irfan Hysenbelliu), kundër një grupi punonjësish.

Punëtorët thonë se kjo fitore është e rëndësishme për ta, pasi vendos të drejtën në vend, edhe pse nga aspekti ekonomik nuk i sjell asgjë. Pasi stabilimenti nuk punon dhe të gjithë nuk marrin rrogat prej vitesh.

Punëtorët bënë të ditur se gjyqtarja ka urdhëruar të bëhet publik vendimi që mbahej i paralajmëruar nga Prokuroria e Tiranës. E cila, me një justifikim që nuk gjente adresat, nuk i ka lajmëruar punonjësit për vendimin.

Por pikërisht gjyqtarja ka urdhëruar që të lajmërohej çdo punëtor i Birra Tiranës, që ata kanë fituar gjyqin me Luan Bregasin dhe njerëzit e tij.

Kjo është një odise e gjatë, dramatike, por edhe e dhimbshme. Ku ka pasur mjaft sakrifica, por edhe më shumë se kaq. Teknologu i talentuar Fatmir Pema, humbi jetën si pasojë e një sëmundje të rëndë, ndërkohë që u trajtua në mënyrën më çnjerëzore nga Luan Bregasi dhe qehajallarët e tij.

Me fuqinë e pushtetit politik, ngaqë ishte nënkryetar i këshillit bashkiak, Bregasi u soll me punëtorët në mënyrë çnjerëzore, duke menduar se ka me vete shtetin. Tentoi t’i burgoste, i baltosi si grabitës, megjithëse nuk kishte asnjë fakt, e më pas i largoi pa i dhënë djersën e tyre. Asnjë prej këtyre punonjësve që janë me ligj aksionerë të Birra Tirana nuk kanë marrë kurrë asnjë lekë nga e drejta e tyre.

Megjithatë, sot ata e ndjejnë veten fitues, pasi bënë një betejë të gjatë e ta barabartë si Davidi me Goliathin. Edhe pse e patën shtetin e qeverinë kundër, ata ecën përpara e sot, si Luan Bregasi ashtu edhe pasardhësi i tij në Birra Tirana, Irfan Hysenbelliu janë humbës. Ata e kanë kthyer këtë thesar të industrisë ushqimore në një gërmadhë, për ta kthyer në një shesh ndërtimi.

Por që gjasat janë se nuk do të arrijnë, pasi janë nën hetim për evazion fiskal e mashtrim financiar.

Në ditët që vijnë, punëtorët e Birra Tirana, do t’i drejtohen publikut me një qëndrim mediatik, ku do të tregojnë fakte të reja mbi aferën e shkatërrimit të Birra Tirana. /Pamfleti

Lini një Përgjigje