TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet11 Maj 2025, 13:05

Sherr mes socialistëve në Maqellarë, kandidati për deputet godet me grushta punonjësin e Ujësjellësit

Shkruar nga Pamfleti

Sherr mes socialistëve në Maqellarë, kandidati për deputet

Një incident ka ndodhur paraditen e sotme në qendrën e votimit 1122 në Njësinë Administrative Maqellarë, Dibër. Një përplasje verbale mes përfaqësuesve të Partisë Socialiste ka degjeneruar në dhunë fizike.

Raportohet se kandidati i Partisë Socialiste, z. Danjel Gjura, ka goditur me grusht shtetasin Florian Lazri punonjës i Ujësjellësit, gjatë një debati për ndikimin mbi votuesit lidhur me zgjedhjet e sotme. Lazri thuhet se ishte në mbështetje të kandidatit Agron Malaj.

Ngjarja ka ndodhur brenda ambienteve të qendrës së votimit, në prani të qytetarëve dhe anëtarëve të komisionit zgjedhor. Menjëherë pas incidentit, policia është thirrur në vendngjarje për të marrë deklaratat e palëve të përfshira dhe për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

Partia Socialiste nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar në lidhje me rastin.

Burime jozyrtare për “A2 CNN” tregojnë se konflikti mund të ketë lindur nga mosmarrëveshje të brendshme brenda strukturave lokale të kësaj force politike, të cilat dyshohet se lidhen me menaxhimin e listave të mbështetësve dhe ndikimin mbi elektoratin.

Ky incident ndodh në një klimë të tensionuar politike në qarkun e Dibrës, ku rivaliteti mes forcave politike është rritur ndjeshëm në ditët e fundit ndërsa janë raportuar raste ku votuesit janë presionuar.

Lini një Përgjigje