
Në shërbimin e Kardiokirurgjisë pranë QSUNT kjo pajisje mungon, nuk ka patur asnjëherë një pajisje të tillë. Për funksion të ngjashëm, por me efekt shumë më të limituar se ECMO gjendet një aparaturë e qarkullimit ekstrakorporal.
Një pajisje jetëshpëtuese, e quajtur ECMO mungon në repartin e kardiologjisë në QSUNT. Pajisja shërben në rastet urgjente jo vetëm për sëmundjet e zemrës, por edhe ato të mushkërisë.
Aparatura ECMO pompon në mënyrë të vazhdueshme gjakun nga trupi dhe më pas e shpërndan atë përmes pajisjeve që rrisin oksigjenin dhe heqin gazin karbonik deri në momentin e stabilizimit të pacientit.
Gazetari Osman Stafa ka denoncuar mungesën e pajisjes, ndërsa shprehet se ajo nuk kushton më shumë se 200 mijë euro, ndërsa të paktën 50 pacientë humbasin jetën çdo vit si pasojë e mungesës së saj.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit që konfirmon zyrtarisht mungesën e kësaj pajisjeje jetëshpëtuese. Sipas KLSH-së, në shërbimin e Kardiokirurgjisë pranë QSUNT kjo pajisje mungon, nuk ka patur asnjëherë një pajisje të tillë.
“Në lidhje me çështjen se në Shërbimin e Kardiokirugjisë, mungon një pajisje mjaft e rëndësishme për jetën e pacientëve ECMO në kuadër të procesit të verifikimit më datë 13.02.2025 në ambientet e Kardiokirurgjisë, u krye takimi me Shefin e Shërbimit të Kardiokirurgjisë dhe Kryeinfermieren e Pavionit.
Sipas tyre "aparatura ECMO/pajisje oksigjenimi ekstrakorporal me membranë, shërben për të pompuar në mënyrë vazhdueshme gjakun nga trupi dhe më pas e shpërndan atë përmes pajisjeve që rrit oksigjenin dhe heq gazin karbonik deri në momentin e stabilizimit të pacientit.
Në shërbimin e Kardiokirurgjisë pranë QSUNT kjo pajisje mungon, nuk ka patur asnjëherë një pajisje të tillë. Për funksion të ngjashëm, por me efekt shumë më të limituar se ECMO gjendet një aparaturë e qarkullimit ekstrakorporal.
Një pajisje e tillë e avancuar mjekësore, ndihmon pacientët me probleme të rënda shëndetësore, veçanërisht në rastet kur mushkëritë dhe zemra nuk funksionojnë siç duhet”, thekson KLSH.

Gazetari Stafa në denoncimin e tij në rrjetet sociale, thekson se ndërkohë që Kryeministri Edi Rama shpenzon plot 4.3 mln euro për kopshtin Eden te Kryeministria, shteti shqiptar nuk shpenzon 200 mijë euro për të blerë një pajisje që shpëton jetë.
Në korrik të 2024, ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, njoftonte se Qendra Spitalore Rajonale Tiranë “Shefqet Ndroqi”, e cila u shërben pacientëve me sëmundje respiratore në mbarë vendin është pajisur me ECMO.
Vetë ministrja pohonte se kjo është një aparaturë mjekësore jetëshpëtuese për trajtimin e pacientëve në gjendje të rëndë me probleme pulmonare dhe kardiake.
Koçiu pohonte se pajisja shërben si mushkëri për pacientin.
Pra ministrja e Shëndetësisë e ka të qartë rëndësinë e një pajisjeje të tillë, e cila ndryshe konsiderohet nga mjekët si membranë oksigjenuese, e cila u shërben të sëmurëve ekstremisht të rëndë. Thjesht pyetja që shtrohet është se pse në QSUNT, atje ku është edhe shërbimi i kardiologjisë, përfshirë dhe urgjencat kardiake, mungon një pajisje e tillë? /Pamfleti/
Lini një Përgjigje