
Pas sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve nga Irani, SHBA rrit vigjilencën në Shqipëri; “blindohet” Antiterrori
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë forcuar masat kundër terrorizmit dhe sulmeve kibernetike në vendin tonë.
Shqipëria u përball me një sulm të gjerë kibernetik nga Irani një vit më parë, teksa janë parandaluar dhe akte terroriste. Madje qeveria jonë mbylli ambasadën e Iranit.
Që pas këtyre ngjarjeve, SHBA ka sjell ekspertët e saj më të mirë dhe ka hedhur shumë para për të ndihmuar SPAK dhe policinë në luftën antiterror. Sot ambasada e SHBA ka bërë me dije se janë dhënë afro 10 mln dollarë për pajisje dhe trajnime.
“Këtë javë, programi i Ndihmës për Antiterrorin (ATA) dhe Ambasada e SHBA në Tiranë përfunduan një sërë takimesh dhe seancash monitorimi me forcat e rendit shqiptar. Gjatë shtatë viteve të fundit, ambasada, përmes ATA, ka ofruar rreth 10 milionë dollarë trajnime dhe pajisje për partnerët tanë për Policinë e Shtetit.
Jemi krenarë të dëshmojmë përkushtimin e partnerëve tanë në Policinë e Shtetit, duke reflektuar bashkëpunimin ndër vite për të rritur sigurinë në Shqipëri. Këto sesione, të cilat përfshinin diskutime me drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe takime të fokusuara me mbi 20 oficerë të antiterrorit, si dhe 15 të tjerë nga mjekësia ligjore digjitale në SPAK dhe Policia e Shtetit ndanë mendime të vlefshme për kontributet e ATA-së. Ne fituam njohuri për vlerën e trajnimeve, rëndësinë e tyre operacionale dhe integrimin e tyre në kurrikulën e policisë. Historitë e suksesit vunë në dukje përmirësimet e rëndësishme të aftësive në antiterror dhe mbrojtjen kibernetike”, njofton ambasada e SHBA.
Ndryshe nga shumë shtete, fatmirësisht në Shqipëri nuk ka pasur akte terroriste. SPAK ka hetuar dhe gjykatat më pas kanë dënuar disa persona për mbështetje të terrorizmi. Ndërkohë i vetmi shtet që na ka shpallur armik është Irani, kjo për shkak të strehimit të muxhahedinëve. Por edhe pas strehimit të tyre janë shmangur ngjarjet. Megjithatë amerikanët duket se janë vigjilentë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje