TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 9 Nëntor 2024, 16:33

Mbërritja e 6 emigrantëve në Gjadër, reagon ashpër opozita italiane: Kampi si burg, Meloni po shpërdoron paratë tona

Shkruar nga Pamfleti

Mbërritja e 6 emigrantëve në Gjadër, reagon ashpër

Vetëm një ditë pas mbërritje së gjashtë emigrantëve në kampin e Gjadrit, tre deputetë të opozitës erdhën ditën e sotme në Lezhë.

Ata kanë parë nga afër funksionimin e kampit. Alfonso Collucci i “Lëvizjes 5 Yjet” e krahasoi ambientin me një burg ndërsa akuzoi qeverinë Meloni për shpërdorim të taksave të qytetarëve italianë.

“Këtu të duket sikur je jashtë humanizmit. Të mendosh që këto struktura do kushtojnë 800 milionë euro në 5 vite, shto edhe kostot e mirëmbajtjes dhe 9 milionë euro vetëm për transportin. Për këtë të vjen keq, taksat e italianëve po harxhohen dhe nuk po investohen në Itali për shërbimin e sigurisë në vend, për qytetarët e Italisë. Të vjen keq vërtet, sepse këtu duket më shumë si një mbajtje në burg e këtyre personave, sepse ju kujtoj që e thotë edhe protokolli shqiptar, që këta persona nuk mund të dalin. Pra kemi një formë të rëndë të mbajtjes tyre të mbyllur. Qeveria Meloni hedh paratë e italianëve nga dritarja”, tha Collucci për mediat.

Ndërsa deputetja Rachele Scarpa e Partisë Demokratike, u shpreh se një nga emigrantët u kthye mbrapsht për shkak se u konstatua se vuante nga shëndeti mendor. Deputetja ngre pyetjen se si është e mundur të mos vihej re ky problem gjatë procesit të verifikimet.

“Zbuluam nacionalitetin dhe gjendjen e personit që dje u kthye sërish në Itali dhe bëhet fjalë për një egjiptian. Kishte problem psikiatrike dhe u kthye mbrapsht. Këtu pyesim se si ishte e pamundur mos të vihej re kjo gjë gjatë procesit të verifikimit, para se të hipte në anije”, u shpreh Scarpa.

Të premten me anijen “Libra” mbërritën 8 emigrantë, por pas verifikimeve në qendrën e Shëngjinit, 2 prej tyre u kthyen pas.

Lini një Përgjigje