TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet17 Nëntor 2025, 08:14

Seanca paraprake, çfarë pritet të vendosë GJKKO lidhur me dosjen Veliaj?

Shkruar nga Pamfleti

Seanca paraprake, çfarë pritet të vendosë GJKKO lidhur me

Në GJKKO pritet të zhvillohet sot seanca paraprake lidhur me të ashtëquajtën dosjen “Veliaj” ku të pandehur janë Kryebashkiaku i Tiranës, bashkëshortja e tij dhe 28 persona e shoqëri.

Në këtë seancë paraprake, pritet që GJKKO të përcaktojë nëse dosja e paraqitur nga SPAK duhet ose jo të kalojë për gjykim.

Në seancën e kaluar, e cila u shty me kërkesë të avokatëve, kryeprokurori i SPAK-ut, Altin Dumani, paraqiti një material prej 50 faqesh, duke kërkuar kalimin e dosjes për gjykim.

Në anën tjetër pala që mbron biznesmenin Elman Abule, një prej të pandehurve, kërkoi pushimin e çështjes, ose në alternativë gjykim të shkurtuar. Ndërsa avokatët e personave të tjerë kërkuan kohë për t’u shprehur.

Kryebashkiaku Veliaj i është drejtuar GJKKO-së që t’i vihet në dispozicion një kopje fizike e dosjes që të ketë mundësi të përgatitet për mbrojtjen.

Veliaj pretendon se nuk i është lejuar që të lexojë asnjë faqe nga dosja dhe se USB-ja që i është dorëzuar avokatëve nuk mund të përdoret në paraburgimin e Durrësit.

Kryebashkiaku i Tiranës akuzohet nga SPAK për disa vepra penale si pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 episode, shpërdorim detyre si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli. 

Veliaj fitoi një betejë në Gjykatën Kushtetuese lidhur me procedurat e ndjekura për shkarkimin e tij nga posti i Kryetarit të Bashkisë. Dy javë më parë, Kushtetuesja vendosi që shkarkimi i Veliajt, i dirigjuar nga Kryeministri Edi Rama, ishte i paligjshëm. Në kushte të tilla, Veliajt iu dha e drejta të mbante funksionin e Kryebashkiakut, pavarësisht se prej 9 muajsh ndodhet në kushtet e arrestit me burg.

Pas vendimit të Kushtetueses, Kryeministri Edi Rama ndryshoi qëndrim në lidhje me Kryebashkiakun, duke i kërkuar Gjykatës që me të njëjtën mënyrë të gjykojë edhe kërkesën për lirimin e tij nga qelia. 

Lini një Përgjigje