Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri është shprehur gjatë seancës së sotme në Apelin e GJKKO-së se është arrestuar në emër të kryeministrit Edi Rama.
Ai ka deklaruar se është i pafajshëm dhe se provat janë manipuluar. Beleri ka kërkuar nga trupi gjykues që të japin një vendim të drejtë në mënyrë që të kenë të qetë ndërgjegjen.
“Jam arrestuar në emër të kryeministrit dhe provat janë manipuluar. Unë ndërgjegjen e kam të qetë dhe ju kur të shpallni vendimin ta keni të qetë ndërgjegjen tuaj”, u shpreh Beleri.
Avokatja e këtij të fundit Klodiana Gjyzari, deklaroi se nuk ka gjurmë të pajisjes së përgjimit.
“Duam që gjykata të parashtrojë faktin si janë provat. Beleri që në momentin e arrestimit, ka thënë se është një proces i manipuluar. Shkresa e komisariatit pa burim prove, nuk mund të merret si provë nga ana e prokurorisë. Ne ende nuk e dimë ku janë këto regjistrime, nuk na janë vënë në dispozicion. Qëllimi i prokurorisë është të lë një gjysme indicie. Gjykata vijon ti referohet shkresës së komisariatit të policisë e cila është e diskutueshme. Gjykata arsyeton që në 10 maj, në orën 20.20 Beleri ka kryer një bisede me Arsen Ramën. Dhe arsyeton që janë takuar me njëri- tjetrin. Nga të dhënat rezulton se Beleri nuk e ka takuar kurrë Arsen Ramën. Nga përmbajtja e procesverbaleve, nuk është përcaktuar asnjë takim mes Belerit dhe Arsen Ramës”, tha ajo.
Ndër të tjera, avokatja e Belerit, Klodiana Gjyzari ka deklaruar në senacë se mungon dokumenti origjinal, ndërsa e ka cilësuar përgjimin si të paligjshëm.
Fredi Beleri ndodhet në qeli prej 12 Majit 2023 për blerje votash dhe është dënuar nga Gjykata e Posaçme me dy vite burg. Por Fredi Beleri ka ankimuar vendimin në Apelin e GJKKO-së dhe ka pretenduar pafajësi.
Lini një Përgjigje