
Banorët e prekur nga rruga Qukës-Qafë Plloç, përballen çdo ditë me tmerrin e rrugës, pasi janë 2.9 kilometër të nisura që në vitin 2009 dhe që nuk kanë përfunduar ende.
Emisioni “Fol” u ndal në Përrenjas, në zonën ku nis ky segment rrugor, i cili mund të kalohet vetëm nga një mjet i fortë fuoristradë, pasi të tjerat mbesin në trase.
Banorët e kësaj zone kanë dalë në protestë, teksa iu është sosur durimi, ndërsa kjo rrugë nuk mund të quhet më rrugë.
“Është bërë katastrofë, në behar pluhur, baltë në dimër. Ka rënë një fëmijë i kopshtit në gropë, desh u mbyt, e kapën shokët”, tha një banor për mikrofonin e MCN TV.
Një tjetër shprehet se rruga është bërë katastrofë e madhe dhe se këtu nuk pyesin, por vijnë vetëm për votime.
"I gënjejnë njerëzit me një thes miell 25 kilogramë. Rruga është në vend. Po të donte Taulant Balla, kjo rrugë ishte bërë. Taulanti është i pari i kësaj pune, që e ka groposur këtë rrugë. Firma “Salillari” e ka në përgjegjësi këtë rrugë, ai nisi ta ndërtonte. Vetëm në këtë segment kemi mbetur për 3 kilometër, sa u arrit këtu ku jemi. Ne kërkojmë ndihmë vetëm me mediat, se me shtetin nuk kemi asgjë, asnjë komunikim", tha ai.
Një tjetër banor thotë se janë mbi dhjetë fshatra që kalojnë në këtë rrugë, e cila është bërë e pakalueshme.
"Shoqërojmë fëmijët, për t’i çuar dhe marrë nga shkolla. Nëse do ishte rregulluar kjo rrugë, mund të përdorej një autobus apo fugon dhe e paguanin vetë banorët. Kjo është një zonë e bukur por po shpopullohet vendi. Lugina e Shkumbinit. Janë marrë inerte nga lumi Shkumbin. Shumë specie të lumit janë zhdukur nga ndërhyrjet. Fëmijët me këmbë të lagura e baltë, rrinë 6 orë në mësim. Kur bie shiu fëmijët i marrim në krah i çojmë në shkollë", deklaroi ai.
Banori tjetër tha se firma që ka bërë lotin e parë ka ikur, pa e mbyllur rrugën.
"Shpresa e fundit ishte te Taulant Balla, nuk u bë. Ai që do e bëj këtë rrugë, besoj do marrë emrin dhe rruga. Pse kjo rrugë 3 kilometër nuk bëhet?', tha banori.
Administratori i lagjes shtoi se përveçse rruga nuk është bërë, janë dëmtuar dhe tokat e banorëve, të cilët nuk i kanë marrë lekët e kompensimit.
"Ka ankesa, se pse nuk dëmshpërblehen. Nuk kemi marrë asgjë. Kisha 6 dynym tokë mi morën dhe s’kam marrë asgjë. Letrat i kemi çuar, por na thonë, ik se do i sjellim. Kam fotografitë që më prenë misrin, pemët, edhe serbi nuk do i bënte pa mbyllur cikli. Mi ka prerë firma me motosekë", deklaroi ai.
Drejtuesi i një autobusi i cili u ndal gjatë emisionit u shpreh se has shumë vështirësi të madhe në rrugë, të cilën e bën dy herë në ditë: ""Një herë në javë prishet makina, balestra shumë keq. Vetëm se çoj mësuesit përditë në një fshat lart".
Një tjetër banor tha se herë pas here hedhin inerte, por rruga prishet sërish pasi e merr shiu prapë.
'Kemi dëm ekonomik shumë të madh, jemi të gjithë fshatarë, prodhojmë. Ku do e çojmë, ku do e nxjerrim? Çdo gjë prodhohet këtu, çdo gjë është bio, ku ta çoj. Nuk kemi rrugë ta nxjerrim mallin në treg. Bëjmë 50 kilometër për ta shmangur rrugën, se po hyre ngel në gropë. Halle kemi shumë, por hall mbi hall është ky", tha ai.
Shqetësim tjetër për banorët janë linjat elektrike të cilat datojnë që në vitet ‘60-të.
"Rrobat i lajnë në dorë, lavatriçet i mbajnë për zbukurim. Fiken dritat me një vesë shi, apo fryn era. Do rrimë një javë pa drita, marrim Elbasanin", u shrpeh banori.
Lini një Përgjigje