TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet18 Shtator 2024, 11:58

Rriten pensionet me 4.1%, 798 mijë përfitues

Shkruar nga Pamfleti

Rriten pensionet me 4.1%, 798 mijë përfitues

Këshilli i Ministrave ka miratuar sot vendimin për indeksimin e pensioneve me 4.1%. Ministri Gonxhe konfirmon, se nga ky indeksim përfitojnë mbi 789 mijë persona.

“Miratohet indeksimi 4.1% i pensioneve, mbi 791 mijë përfitues nga 1 tetori. Synimi kryesor indeksimit është të ruajmë fuqinë blerëse. Qeveria e Shqipërisë i ka në vëmendje të veçantë pensionistët, të kemi një jetë sa më të denjë për ta dhe për këtë po punojmë, për të pasur një rishikim të skemës dhe mundësive për të arritur në një rritje të të ardhurave për këtë kategori”, u shpreh Ministri Gonxhe.

Përfituesit

 Nuk janë vetëm pensionet e pleqërisë, ata që do të përfitojnë nga indeksimi, por të gjithë qytetarët që trajtohen me pension. Qoftë pensionet suplementare, pensionet e ish-minatorëve, ish-metalurgëve e të tjerë. Pra, në total përllogariten më shumë se 791 mijë përfitues të kategorive të pensioneve, të cilët do të marrin shtesë nga indeksimi, që do të bëhet në muajin tetor dhe i nis efektet nga data 1. Fondi për indeksimin e pensioneve për këtë vit është 4 miliardë e 137 milionë lekë dhe vetëm në këto tre muaj tetor, nëntor e dhjetor, hifra kalon vlerën e 1.6 miliardëve.

Me këtë indeksim, pensionet urbane të pleqërisë rriten me afro 752 lekë, nëse marrim si referencë vlerën mesatare të kësaj kategorie që në fund të 2023-shit ishte 18.341 lekë. Ndërsa për pensionet rurale, shtesa është 453 lekë, pasi pensioni mesatar rural është 11,051 lekë. Ndërsa vitin e kaluar pensionet u indeksuan me 8.6% aq sa ishte Indeksi i Çmimeve të Konsumit të shportës së mallrave dhe shërbimeve për pensionistët nga gushti i 2022-gusht 2023. Brenda muajit të ardhshëm detaje të reja pritet të publikohen edhe për skemën e re të pensioneve, ku synohet të ketë rritje të diferencuar të pensioneve.

 Në fokus të reformës së re do të jenë pensionet rurale dhe ato të pjesshme, që do të kenë një rritje të konsiderueshme dhe më pas do analizohen pensionet e tjera, që konsiderohen të larta. Rishikimi i saj pritet të prekë thuajse të gjitha elementet e skemës, nga vlera mujore, mënyra e indeksimit të tyre, diferenca mes pensioneve urbane dhe rurale, vitet e punës e deri tek vlera e kontributeve që paguhet gjatë viteve të punës.

Indeksimi

Indeksimi i pensioneve ka për qëllim të mbajë në nivel real masën e pensioneve dhe përfitimeve të tjera sociale, duke i përshtatur me efektet e rritjes së indeksit të çmimeve të mallrave të konsumit për shportën e pensionistëve.

Këtë vit është vendosur të indeksohen në masë 4.1 për qind pensionet e plota, pensionet e pjesshme, pensionet e reduktuara dhe pensionet e parakohshme të pleqërisë, pensionet e invaliditetit, pensionet familjare dhe për vjetërsi shërbimi, bazuar në përllogaritjen zyrtare të INSTAT, që është institucioni përgjegjës për deklarimin e indeksit të çmimeve të shportës së mallrave e shërbimeve për pensionistët.

Lini një Përgjigje