
Rrjeti i Bazelit i ka dërguar një letër zyrtare Ministrisë së Mjedisit lidhur me 102 kontejnerët me mbetjet toksike që kanë dalë nga Porti i Durrësit.
Rrjeti i Bazelit u bën thirrje autoriteteve shqiptare, që të testojnë mbetjet e dyshuara të rrezikshme, të cilat po kthehen mbrapsht për në Portin e Durrësit.
"Është kritike për shëndetin e qytetarëve dhe mjedisit të Shqipërisë, si dhe për sundimin e ligjit ndërkombëtar që kontejnerët të testohen për të përcaktuar nëse përmbajnë mbetje të rrezikshme, siç dyshohet në mënyrë që të ndërmerren veprimet e duhura. Jemi të shqetësuar se moszbatimi i një plani të mirëekzekutuar për marrjen e mostrave të mbetjeve të dyshuara do të çojë në teori konspirative, mungesën e transparencës dhe keqinformim që nuk do të ndihmojë askënd", thuhet në letrën e Rrjetit të Bazelit drejtuar Kumbaro.
Sipas Rrjetit të Bazelit, nëse nëse kontejnerët përmbajnë materiale të rrezikshme, atëherë ato nuk mund të ishin dërguar në një vend tjetër pa pëlqimin me shkrim të vendit eksportues Shqipëria, vendet tranzit të Italisë, Maltës, Marokut, Afrikës së Jugut dhe Singapori, si dhe vendi importues i Tajlandës.
Kjo sipas tyre, ngre dyshime të arsyetueshme se kemi të bëjmë me një ‘trafik ilegal’ ndërkombëtar të mbetjeve toksike.
"Asnjë pëlqim nuk është dhënë nga asnjëra prej këtyre vendeve dhe për këtë arsye nëse kontejnerët tregohet se përmbajnë mbetje të rrezikshme, atëherë dërgesat ishin "trafik ilegal" sipas nenit 9 të Konventës së Bazelit. Trafiku i paligjshëm është shkelje penale. Më tej, nëse kontejnerët përmbajnë mbetje të rrezikshme në formë grimcash, kjo ngre një problem serioz lidhur me pyetjet se përse u lejuan të ekspozoheshin ndaj erës dhe shiut në port, duke pasur parasysh rreziqet e ndikimeve të rënda mjedisore dhe në shëndetin e njeriut".
Pas paralajmërimeve të BAN, Singapori dhe Tajlanda refuzuan përfundimin e dërgesave, ndaj Maersk dhe MSC janë bashkuar në përpjekjet për të kthyer 102 kontejnerët.
Lini një Përgjigje