TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet18 Shtator 2024, 10:35

Abuzimet me fondet e SASPAC, shtyhet sërish seanca për ish-ministrin Ilir Beqaj

Shkruar nga Pamfleti

Abuzimet me fondet e SASPAC, shtyhet sërish seanca për ish-ministrin

Shtyhet për të disatën herë seanca paraprake për Beqajn për dosjen e SASPAC.

Është shtyrë sërish seanca paraprake për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Beqaj akuzohet për abuzim me fondet e BE-së gjatë kohës së mbante postin e drejtorit të Agjencisë Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).

Mbrojtja e ish-ministrit, kërkoi materialet hetimore nga ana e Prokurorisë së Posaçme, ndërsa nuk u paraqit njëri prej avokatëve të personave që janë nën hetim për këtë çështje, ç'ka çoi në shtyrjen e seancës.

Ilir Beqaj u arrestua më datë 4 korrik me kërkesë të SPAK, nën dyshimet për një skemë korrupsioni me fondet e SASPAC.

Ilir Beqaj dhe 6 të tjerë, përfshirë financierin e tij Ermal Kurtulaj, akuzohen nga SPAK për korrupsion, mashtrim, fshehje pasurie dhe shkelje të barazisë në tendera.

Prokuroria e Posaçme dyshon se ish-ministri ka abuzuar me fondet europiane si drejtor i Agjencisë së Koordinimit të Ndihmës së Huaj, duke kryer prokurime fiktive në bashkëpunim me koordinatorin Ermal Kurtullaj, si dhe ka fshehur pasurinë me deklarata të rreme.

Ilir Beqaj dha dorëheqje si kreu i Agjencisë sapo iu ndaluan udhëtimet jashtë vendit dhe iu kërkua të paraqitej rregullisht pranë SPAK-ut lidhur me hetimet mbi koncensionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.

Arrestimi i Beqajt dhe abuzimi me fondet e SASPAC

Lidhur me aferën e fundit me abuzimet e fondeve të SASPAC, më 4 korrik u vu në pranga Ilir Beqaj dhe veç tij në pranga u vu dhe Ermal Kurtulaj, krahu i tij i djathtë dhe Alfred Nikolla. Beqaj u arrestua lidhur me shpërdorimin e fondeve të BE-së, përmes agjencisë SASPAC, të cilën ish-ministri i Shëndetësisë e drejtonte, edhe pse më parë ndaj tij, SPAK kishte nisur hetimet lidhur me koncesionet në shëndetësi.

Përmes një deklarate, SPAK sqaroi se nga hetimet rezultoi se kur drejtonte Agjencinë SASPAC, ka ngritur skemë përfitimi me fatura dhe procedura prokurimi fiktive, duke zhvatur fondet e BE (Programi IPA II). Sipas Prokurorisë së Posaçme, fondet për aktivitetet e agjencisë SASPAC shkonin te fituesit e paracaktuar sipas urdhrave dhe direktivave që jepte Beqaj.

Në funksion të kësaj skeme, thotë SPAK, Beqaj ka bashkëpunuar me Ermal Kurtulaj, financieri dhe bashkëpunëtori i ngushtë i tij. Restoranti “Gzona’ brenda në Kalanë e Tiranës, sipas SPAK, ndonëse ka për administrator një person tjetër, është pronë e fshehur e Beqajt. SPAK thekson se Beqaj ka investuar te restorant “Gzona” prej vitit 2019 shumat 21 411 euro dhe 4 666 110 lekë të reja për blerjen e pajisjeve dhe 34 783 euro si shpenzime qiraje.

Roli i SASPAC?

Kjo agjenci ka si mision koordinimin e ndihmës së huaj për programet dhe projektet zhvillimore, asistimin e strukturave vendimmarrëse për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI) dhe monitorimin e zbatimin e saj, ofrimin e mbështetjes metodologjike në hartimin e strategjive ndërsektoriale dhe sektoriale, me qëllim harmonizimin e tyre me SKZHI-në, si dhe monitorimin e zbatimit të tyre, koordinimin e procesit të administrimit të projekteve me interes kombëtar, ofrimin e mbështetjes për institucionet e administratës shtetërore për rritjen e kapaciteteve në fushën programeve dhe projekteve zhvillimore.

Ndër përgjegjësitë e agjencisë së re është edhe mbështetja e ministrisë përgjegjëse për Evropën në përmbushjen e përgjegjësive të saj për procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe misionet diplomatike në koordinimin e punës së tyre me donatorët e huaj. Formati dhe procedura e mbështetjes dhe koordinimit përcaktohen me urdhër të Kryeministrit.

SASPAC, po ashtu, mbështet Kryenegociatorin dhe Grupin Negociator në programimin dhe monitorimin e asistencës financiare të BE-së në funksion të procesit të aderimit në BE dhe të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Formati dhe procedura e mbështetjes dhe koordinimit përcaktohen me urdhër të Kryeministrit.

fondet e saspac ish ministri ilir beqaj

Lini një Përgjigje