
Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini, ka konfirmuar se në vendin tonë janë aktualisht 11 raste të fruthit të shpërndara në tre qytete. Në një intervistë televizive, Tomini tha se të infektuar janë fëmijë të moshave nga 1-13 vjeç në qytetet e Tiranës, Krujës dhe Durrësit.
“10 raste të konfirmuara me fruth janë Durrës, Krujë dhe Tiranë. Ndërkohë një rast është i konfirmuar në laboratorët jo publik në Tiranë”, tha Tomini.
Ajo ka sqaruar se ka nisur hetimi epidemiologjik dhe situate po monitorohet.
“Siç e dini, fruthi është një sëmundje me transmetueshmëri të lartë dhe sidomos për subjekte të cilët nuk janë të vaksinuar. Duhet theksuar se nëse nuk jemi të vaksinuar jemi të predispozuar për të pasur një klinikë dhe hera herës më agresive apo më të rënduar krahasuar me fëmijët apo grupmoshën pediatrike të cilët janë vaksinuar, por kliniksht shfaqin simptoma më të lehta se personat e pa vaksinuar. Aktualisht nga rastet e konfirmuara asnjë rast nuk kemi të hospitalizuar, në të dyja spitalet. Qoftë në Durrës, qoftë në QSUT. Duhet theksuar se personat apo individët apo mosha pediatrike që ka qenë e pa vaksinuar ka pasur një klinikë të ngjashme me infeksionet respiratore, por sigurisht mjekët klinikisht me syrin kritik kanë bërë diagnozën diferenciale”, ka thënë Tomini.
6 prej rasteve të evidentuara kanë lidhje familjare me njëri tjetrin ndërsa pjesa më e madhe e të prekurve janë të pavaksinuar.
Grupmoshat e fëmijëve të prekur janë nga 1 deri në 13 vjeç.
“Ne kemi reflektuar se kemi një rënie të mbulesës së vaksinimit me vaksinën e fruthit. Kemi nivel 86-87% të vaksinuar me dozë të parë dhe këtë e kemi reflektuar prej më shumë se sa një viti. Kjo është reflektuar që pas pandemisë. Gjejmë mundësinë për të promovuar vaksinimin në kohë të fëmijëve të vegjël apo moshës pediatrike. Duhet të theksojmë se në dozë të dytë jemi në nivelin 93-94%. Përqindja mbetëse mbetet përqindja e popullatës që janë të pa vaksinuar. Duhet theksuar se prindërit e rinj, e shtyjnë në kohë vaksinimin ndaj fruthit. Nuk e kryejnë në moshën 12 muajshe. Në moshën 5 vjeç që bëhet rivaksinimi për fruth, sigurisht që kemi një mbulesë më të lartë. Duhet theksojmë se rekomandimet e strukturave shqndetësore, janë që duhet bërë vaksina e parë 12 muajshe dhe doza e dytë 5 vjeç”, sqaron Tomini në intervistën e saj dhënë për Report TV.
Lini një Përgjigje